Temperatura të larta edhe sot, prej nesër freskim për 10 gradë

alsatmtv 2015-08-21

Views 8

Në Maqedoni sot u shënua dita më e nxehtë e gjithë muajit dhe temperatura i kaloi 41 gradë Celsius. Në mesditë, rrugët ishin thuajse të zbraza dhe duket se cdo kush po përpiqet të gjejë një mënyrë për t'u freskuar. Shpëtimi i vetëm kur kondicionerët nuk mund të na freskojnë, janë hijet e dendura pranë lumenjve malorë. Por për ata që nuk kanë mundësi të shkojnë në pushime, dhe mbeten në kryeqytet apo qendrat industriale, janë pishinat.
"Shkupjanët të cilët këtë fundjavë mbetën në qytet, shpëtimin nga asfalti i nxehtë e kërkuan në disa nga pishinat e qytetit. Krahas indeksit të lartë të rrezeve ultra-violetë dhe paralajmërimet nga mjekët, shumë pak strehoheshin nga dielli i mesditës".
"Sa kohë jeni në pishinë?"
"Prej 2 orësh tashmë".
"A bëni kujdes me diellin? Kishte rekomandime për shkak të indeksit të rrezeve ultra-violetë?
"Po, kemi krem për rrezitje".
Qyteti i Shkupit këtë verë ka në dispozicion tre pishina; pishinën Olimpike, "Biser" dhe atë në qendrën sportive "Boris Trajkovski". Uji në to kontrollohet rregullisht, thonë nga Ministria e Shëndetësisë dhe sipas tyre, deri tani nuk është regjistruar ndonjë devijim nga standardet e higjienës. Ndërkaq, nga Enti Hidrometeorologjik prej nesër paralajmërojnë një ulje freskim të shkurtër.
"Nën ndikimin e masës më të freskët të ajrit, që vjen nga veriu, në viset veriore do të shkaktojë një ftohje, me erë diku të fortë. Temperaturat në viset veriore do të bien për rreth 8 gradë, kurse në ato jugore do të vazhdojë të mbajë mot i nxehtë. Këtë freskim do ta ndjejmë edhe të martën dhe të mërkurën. Prej të enjtes dhe të premtes do të ketë sërish rritje graduale të temperaturës së ajrit", tha Lena Jovanovska, sinoptikane.
Për t'i bërë ballë temperaturave të nxehta, mjekët rekomandojnë respektimin e masave të përgjithshme për mbrojtjen e shëndetit: mos ekspozimin e drejtpërdrejtë nën rrezet e diellit në orët e mesditës, të konsumohet ushqim i lehtë dhe lëngje, kurse më të moshuarit dhe të sëmurët kronike të marrin terapinë e rekomanduar nga mjeku. Petar Bllazhevski

Share This Video


Download

  
Report form