Puna një vjeçare e Qeverisë 'Gruevski 3' ka përplasur sot RDK-në e Rufi Osmanit me partinë shqiptare në pushtet BDI-në. Partia e Osmanit vlerëson se edhe në dy qeverisjet e para VMRO-BDI, ky koalicion është marrë vetëm ditët e para me disa të drejta të vogla të shqiptarëve, ndërsa pastaj, mandati 3 apo 4 vjeçar i Qeverisë përqendrohet vetëm tek çështjet me interes vetëm për VMRO-në. Zëdhënësi i RDK-së përmendi disa projekte sipas të cilave BDI ka dështuar në këtë Qeveri. Ai përmendi dështime në ekonomi, në politikën e jashtme, si dhe në miratimin e ligjeve; përfshi atë për flamujt e bashkësive etnike sipas të cilit, flamuri shqiptar do duhet të jetë 3 herë më i vogël se ai maqedonas."Zyrtarët më të lartë të BDI-së kanë deklaruar publikisht se interesimi i BDI-së në këtë mandat ka qenë garantimi i amnistisë për Kryetarin e BDI-së dhe bashkëpunëtorët e tij, ndërsa çështjet e tjera për shqiptarët janë lënë jashtë diskutimit për zgjidhje, zhvlerësimin e ligjit për gjuhët e bashkësive etnike mbi 20% , dështimin e regjistrimit të popullsisë , bazuar në ligjin e votuar nga koalicioni aktual, talljen pa fund me ligjin për ish-luftëtarët e UÇK-së, keqpërdorimin flagrant të organeve policore në aksionin policor "Monstrum" dhe mos fillimin e gjykimit edhe pas 5 muajsh të policit vrasës të dy shqiptarëve në Gostivar megjithëse ai e ka pranuar krimin e kryer", tha Artan Dika, zëdhënës i RDK-së. I menjëhershëm ka qenë reagimi i BDI-së. Shefi i kabinetit të Ali Ahmetit, Artan Grubi tha se RDK-ja është një parti e cila vuan nga kompleksi i të qenurit e vogël, ndaj e zëvendëson këtë kompleks duke folur për çështje të mëdha. "Ne dëshirojmë të përkujtojmë opinionin publik se vetëm gjatë vitit të parë të Qeverisjes kemi kaluar interpretimin autentik të ligjit për amnisti, kemi kaluar ligjin për flamurin kombëtar, avancimin e ligjit për gjuhën shqipe të cilin akoma duhet ta avancojmë, kemi miratuar një buxhet konsensual midis dy partive qeverisëse në vend, kemi përpiluar program qeverisës të përbashkët që për herë të parë ndodh në politikë bërjen këtu në Maqedoni", tha Artan Grubi, shef i kabinetit të Ali Ahmetit. Grubi madje, e bëri përgjegjëse partinë e Osmanit dhe partitë e tjera të vogla për përçarjen e votës shqiptare dhe për humbjen e të paktën pesë deputetëve shqiptarë në Maqedoni. Shkëlzen Aqifi