Tetovë, aksion për grumbullimin e mbeturinave

alsatmtv 2015-08-21

Views 2

Vazhdon bartja intensive e mbeturinave nga pika për ngarkim-shkarkim e Tetovës. Edhe pse javë më parë u paralajmërua se mbeturinat do të barteshin brenda javës, një gjë e tillë nuk ndodhi, për shkak edhe të përfshirjes nga flakët të tyre. Kreu i Komunës së Tetovës Sadi Bexheti u arsyetua sot se çrregullimi i bartjes së tyre, erdhi si pasojë e defektit në makineri si dhe numrit të madh të mërgimtarëve në Tetovë.
"Edhe si komunë por edhe si qytetarë kemi insistuar që të punohet pak më tepër, mirëpo në moment ka ndodhur një çrregullim në makineri por ajo që është më e rëndësishme është se tani, nga 90 tonë kemi 160 deri në 180 tonë mbeturina.... Por planifikojmë që më 1 Shtator mbeturinat sërish të vijnë në 80 tonë, kjo për shkak të çrregullimit. Në atë vend planifikojmë të mbjellim pemë dhe kullota dhe të mos jetë më stacion për hedhje mbeturinash, dhe ta zgjidhim një herë e përgjithmonë këtë problem", deklaroi Sadi Bexheti, kryetar i Komunës së Tetovës.
Nga ana tjetër, pas pastrimit të deponisë së Tetovës, një firmë gjermane që ka marrë përsipër trajtimin e mbeturinave, do i akumulojë ato nëpër kontejner 75 tonësh dhe jo në hapësira të hapura siç është vepruar deri më tani.
"Shumë pak do duhet stacion për vendosjen e mbeturinave sepse menjëherë do bëhet seleksionimi dhe të njëjtat do futen në kontejnerë nga 75 tonë. Do kemi katër kontejner të tillë nga 75 tonë në të cilët do futen mbeturinat dhe me kamionë të dyfishtë do të barten për në Rusino të Gostivarit", tha Sadi Bexheti/kryetar i Komunës së Tetovës.
Nëse bartja e mbeturinave nuk përfundon në afatin e caktuar, si dhe nëse nuk pastrohet vendi, sipas informatave të ALSAT, pritet që inspektorët e ministrisë së ekologjisë të ngrenë padi penale për drejtorin e Ndërmarrjes Publike të Tetovës. Bashkim Sulejmani

Share This Video


Download

  
Report form