Çair-Shkollat, afati skadoi tabelat mbeten

alsatmtv 2015-08-21

Views 1

Sot skadoi afati i dhënë nga ministria e Arsimit për drejtorët e shkollave të komunës së Çairit, që të kthejnë emrat dhe tabelat e vjetra të shkollave. Që prej 31 gushtit, shkolla e dikurshme 'Rajko Zhinzifov' u emërtua në 'Ismail Qemali', ajo 'Cvetan Dimov' në 'Hasan Prishtina', 'Nikolla Vapcarov' në 'Imri Elezi' dhe ajo 'Jane Sandanski' në 'Jashar Bej Shkupi'. Asnjë nga katër shkollat e lartpërmendura të Çairit nuk kanë zbatuar urdhrin e Inspektoratit të Arsimit për të hequr tabelat e reja. Drejtorët e shkollave në fjalë, u shprehen të prerë në vendimet e tyre duke thënë se nuk do të përkulen para kërcënimeve të Ministrisë së Arsimit.
"Tani që skadon afati, me siguri se ministria e Arsimit do të dërgojë inspektoratin për arsim që të konstatojë nëse janë hequr apo jo tabelat. Mandej, do të shohim se çfarë hapi do të ndërmarrin ata. Me siguri se do t'ju informojmë. Ju megjithatë mbeteni në vendimin tuaj dhe nuk ka ndërrim tabelash. Ne i mbetemi në atë vendim", deklaroi Muzfer Rexhepi, drejtor i Shkollës Fillore 'Jashar bej Shkupi'.
Nga Komuna e Çairit vazhdojnë të theksojnë se gjatë procesit të emërtimit të shkollave nuk ka asnjë shkelje. Por, për shkak të mos pëlqimit të marrë më parë nga ministria e Arsimit, kreu i këtij dikasteri kërcënoi me hetim nga inspektorati i arsimit, madje edhe me gjoba nga 800 deri në 2 mijë euro. Gjobat e tilla do t'u adresohen shkollave dhe drejtorëve të tyre, dhe do të jenë të përmuajshme deri në ndryshim të tabelave. Bedri Rexhallari

Share This Video


Download

  
Report form