Ministri i mbrojtjes Fatmir Besimi promovoi Librin e Bardhë

alsatmtv 2015-08-21

Views 0

Ministri i Mbrojtjes Fatmir Besimi deklaroi se vetëm përmes paqes dhe stabilitetit mund të arrihet zhvillim i qëndrueshëm në vend dhe rajon. Besimi tha se në këtë frymë, integrimet euro-atlantike janë alternativa më e mirë për të ardhmen e vendit dhe Ballkanit. Këto komente, numri 'një' i mbrojtjes i bëri në kuadër të promovimit të librit të bardhë të mbrojtjes. Ai shtoi më tej se siguria dhe stabiliteti nuk fitohet si dhuratë por përmes investimit të vazhdueshëm në zhvillimin e kapaciteteve dhe aftësive të mbrojtjes.
"Në të ardhmen ne do të vazhdojmë të punojmë për paqen dhe stabilitetin si bazë e mirëqenies dhe një zhvillimi të qëndrueshëm, integrimet euro-atlantike i shohim si një alternativë më të mirë për të ardhmen e Maqedonisë dhe rajonit, dhe kjo e ardhme varet nga ne, qytetarët e Maqedonisë sa do të jemi të gatshëm të ballafaqohemi me sfidat t'i tejkalojmë ato t'i kyçim potencialet tona për një jetë më të mirë, për një standard më të lartë për qytetarët", deklaroi Fatmir Besimi, Ministër i Mbrojtjes.
Siç njoftoi Besimi, në librin e bardhë i cili paraqet vizionin për zhvillimin e mëtejshëm të mbrojtjes, përfshin reformat e realizuara tashmë dhe ato që planifikohen për të ardhmen, qasja rreth sigurisë në rajon, se cilat janë interesat shtetërore, si dhe vlerësimet lidhur me sigurinë në vend, rajon dhe në suaza globale. Libri i Bardhë i mbrojtjes u botua 7 vjet pas dokumentit të fundit të kësaj natyre, me qëllim të rritjes së transparencës në punën e këtij dikasteri. Botimi i këtij dokumenti sipas ministrit Besimi përkon me 20 vjetorin e formimit të ARM-së dhe në kohën që bëhen përpjekje për transformimin dhe modernizimin e mbrojtjes sipas standardeve të NATO-s. Semra Jakupi

Share This Video


Download

  
Report form