Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka ftuar liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin, që të largohet nga protestat në rrugë dhe aktivitetin e vet ta zhvillojë në Kuvend dhe institucionet e Kosovës. Gjatë një konference të jashtëzakonshme për media, kryeministri Thaçi tha se pamjet që janë parë të hënën në qendër të Prishtinës nuk janë pamje që i duhen Kosovës së pavarur, që mëton të jetë një shtet demokratik i integruar në NATO e Bashkim Evropian. Por, Thaçi në radhë të parë ka fajësuar veprimet e Vetëvendosjes për dhunën e shkaktuar gjatë përplasjeve ndërmjet forcave policore dhe demonstruesve nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.
"Debatin e humbur në Parlamentin e Kosovës të mos e zhvendos në rrugë. Që idetë dialoguese të mos i zëvendësoj me veprime të dhunshme. Betejat e humbura në parlament nuk mund dhe nuk duhet ët zhvendosen në rrugë. Kjo nuk është demokraci dhe veprimet e tilla e rrezikojnë lirinë tonë", deklaroi Hashim Thaçi, kryeministër i Kosovës.
Por thirrja e Thaçit është shpërfilluar nga Lëvizja Vetëvendosje e cila ashtu edhe sikur kishte paralajmëruar ka protestuar sërish para godinës së qeverisë. Albin Kurti tha se Thaçi me bisedimet që po zhvillon me drejtuesit e Serbisë po shkel mbi idealet e popullit të Kosovës dhe të komandantit legjendar Adem Jashari.
"Kryeministri Thaçi ka filluar dialogun politikë që po e çuan normalizim të marrëdhënieve me Serbinë anormale. Në vend që Serbia të avancoj drejtë BE-së po pritet që të filloj negociatat për anëtarësim në BE. Në njërën anë po ja jep Mitrovicën dhe Veriun, ndërkaq në anën tjetër po ja bën më të shpejtë dhe ,ë të mundshme rrugën Serbisë drejtë BE-së", tha Albin Kurti, lëvizja 'Vetëvendosje'.
Sipas lëvizjes Vetëvendosje protesta e sotme është shprehje demokratike edhe kundër dhunës së shtetit policor, që është shfaqur në mënyrën më brutale të mundshme gjatë ditës së djeshme në sheshin Nëna Terezë. Ndryshe gjatë protestaës së djeshme janë arrestuar dhjetëra aktivistë të lëvizjes vetëvendosjes përfshirë edhe deputet njëri prej të cilëve, Liburn Aliu edhe kishte pësuar lëndime. Policia e Kosovës kishte bërë të ditur se protesta nuk ishte paralajmëruar ndërsa policia ka ndërhyrë gjatë tentimit të protestuesve që të futen në ndërtesën e qeverisë. Isuf Kadriu