Tiranë, myslimanët festojnë Kurban Bajramin

alsatmtv 2015-08-21

Views 1

Mijëra besimtarë myslimanë në Tiranë, ashtu si çdo vit, nisën kremtimet që në orët e para të mëngjesit me faljen e namazit të Kurban Bajramit në bulevardin 'Dëshmorët e Kombit'. Kreu i Komunitetit Mysliman Selim Muça udhëhoqi faljen e namazit, para besimtarëve, me fjalët 'Zoti është i madh". Kurban Bajrami ka të bëjë me sakrificën që bëhet në emër të profetit Ibrahim. Gjatë ditëve të kësaj feste, njerëzit që kanë mundësi financiare, flijojnë kafshë në emër të Allahut, dhe një pjesë nga mishi i tyre, ia dhurojnë të varfërve.
"Ditën e festimit të Kurban Bajramit, unë dhe komuniteti mysliman, iu urojmë të gjithë myslimanëve dhe popullatës tjetër, gëzuar për shumë vjet, ta kalojnë mirë, në paqe me njëri tjetrin, në pajtim të plotë. Të gjithë ata që janë të zemëruar sado pak, sot le të pajtohen", deklaroi Selim Muça, kryetar i Komunitetit Mysliman Shqiptar.
Pas faljes së Namazit të festës, dhe në kuadër të festimeve, Komuniteti mysliman priti edhe politikanë dhe personalitete të larta të të gjitha fushave, që ndanë urimet e tyre të rastit.
"Besimtarëve myslimanëve shqiptarë, por të gjithë besimtarëve të zotit, këtë ditë të madhënueshme, të sakrificës për të mirë, ditën e Kurban Bajramit, ditën që i kujton çdo njeriu, se sa sakrifica është themeli i të gjitha mirësive njerëzore dhe kombëtare, ditën që frymëzon mirëkuptim, dashuri, respekt dhe tolerancë", u shpreh Sali Berisha, kryeministër.
"Iu uroj të gjithëve gëzuar, dhe posaçërisht, të gjithë atyre që sot nuk ndihen mirë, që janë në spitale, që kanë të afërm atje, ata që i kanë të dashurit e tyre larg, të gjithë ata që kanë nevojë për dritë shprese dhe kurajë... janë shumë të tillë. Ashtu sikundër uroj me gjithë zemër që nesër të jetë më mirë, dhe padyshim do jetë më mirë", tha Edi Rama, kryetar i PS-së.
Disa vite më parë, kur besimi fetar ishte i ndaluar në Shqipëri, ritet fetare kremtoheshin fshehurazi. Ndonëse pa bujë, në shumë familje tradicionale, shqiptarët i kushtonin një fond të veçantë kremtimit të kësaj feste. Kurban Bajrami, tashmë një ditë feste zyrtare në Shqipëri, kremtohet lirshëm nga shqiptarët që nga vendosja e demokracisë. Shkelzen Aqifi

Share This Video


Download

  
Report form