LSDM-ja opozitare insiston për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Fronti opozitar, kërkoi sot edhe një herë nga kryeministri Gruevski që mbështetjen e popullit për të cilën flet vazhdimisht, ta dëshmojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Jani Makraduli nga LSDM-ja tha se nëse nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare, paralelisht me ato lokale, atëherë përgjegjësia për pasojat bie mbi kryeministrin Gruevski.
"LSDM-ja më së paku dëshiron që të radikalizohet situata. Këtë javë sikurse edhe sot do të vazhdojmë me këtë mënyrë të protestave dhe kjo faktikisht është tentimi i fundit, qëllimmirë i LSDM-së që të vije deri tek zgjidhja e krizës së thellë politike. Në rast se kjo nuk ndodhë, përgjegjësinë e plotë do ta bartë ai i cili e shkaktoi, kryeministri Nikolla Gruevski. Mbrëmë dëgjuam fjalimin e nivelit më të ulët që është mbajtur në Maqedoninë pluraliste, me shumë ofendime dhe me fjalor të urrejtjes. Kjo më së miri flet për frikën e tij dhe për fotografinë e rrejshme që ai dëshiron ta krijojë, kinse qytetarët e duan. Në rast se aq shumë e duan qytetarët dhe në rast se ka aq shumë projekte, le të del në zgjedhje të parakohshme parlamentare, bashkë me ato lokale dhe ta shohim se kë duan qytetarët e Maqedonisë", tha Jani Makraduli, LSDM.
LSDM-ja hodhi poshtë zërat se po përgatitet për zgjedhjet lokale. Makraduli tha se bllokadat dhe protestat nëpër qytete nuk janë përgatitje për zgjedhje, por betejë për kthimin e lirisë dhe demokracisë në Maqedoni. Ai tha se kthimi i mandateve të deputetëve, mbetet hapi i fundit i metodave demokratike.
"Kthimi i mandateve është hapi i fundit i metodave demokratike për zgjidhjen me dialog politik. Kur të shteren të gjitha mundësit për dialog dhe marrëveshje politike ajo është një hap i vogël në gjithë këtë proces", tha Jani Makraduli, LSDM.
Përkundër faktit që ka skaduar afati për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare dhe lokale, Makraduli vlerëson se nëse ekziston vullnet politik, atëherë gjithçka është e mundur, duke përmendur shembullin e vitit 2004, kur zgjedhjet lokale ishin shtyrë për një vit. Opozita e udhëhequr nga LSDM-ja ka vazhduar edhe sot marshin me vetura, ndërsa kërkojnë mirëkuptim nga qytetarët, pasi siç u shpreh Makraduli, në një shtet ku nuk funksionojnë institucionet, kjo mbetet e vetmja mënyrë për kthimin e lirisë dhe demokracisë në Maqedoni. Marshi me vetura do të vazhdojë edhe në ditët në vijim. Bedri Rexhalallri