Ish kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj është shpallur qytetar nderi i Tetovës. Haradinaj në Tetovë u mirëprit nga shumë qytetarë, të cilët ishin tubuar para Komunës së Tetovës, për t'i dëshiruar mirëseardhje Haradinajt. Ai tha se ndjehet i nderuar dhe se në Tetovë ndjehet si në vendlindjen e tij në Gllogjan.
"Të nderuar qytetar të Gllogjanit, këtu më duket si me shkuar atje ku kam lindë dhe i gjej të njëjtët njerëz dhe të njëjtat ndjenja, ju faleminderit. Në Tetovë na gjen të gjithëve, historia jonë, rruga e gjatë e vështirë por edhe vendosmëria për të ecur vetëm përpara, dhe kjo do të thotë se jeni të fortë të zotë e të vendosur. Nderimi që më është bë mua në ditët e mia të vështira e vërtetojnë këtë se ju nuk e keni pasur vetëm për atë ditë por për një rrugë të gjatë. Edhe nderimi që më bëhet sot mua me shpalljen qytetar nderi, është një nderim për rrugën tonë të gjatë", tha Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së.
Kryetari i Komunës së Tetovës Sadi Bexheti, me iniciativë të cilit Hraadinaj u shpall qytetar nderi i Tetovës, tha se ky akt e nderon edhe Komunën pasi vepra e Haradinajt është e madhe.
"Ramush Haradinaj mbetet simbol i një politikani me vlera universale që inkorporohen në vizionin e tij. Ne krenohemi nga biografia dhe vepra e tij, me çka edhe i ndajmë sot titullin qytetar nderi i Tetovës", u shpreh Sadi Bexheti, kryetar i Komunës së Tetovës.
"Nuk ka fjalë fjali dhe periudha që mundë të përshkruajnë figurën dhe veprën e zotit Haradinaj. I nderuari z.Haradinaj, këta vëllezër tuaj kanë sakrifikuar orë në shi, në momentet kur duhej solidarizuar me ju, dhe unë besoj se këta sot meritojnë që juve tu kenë këtu dhe ti nderoni me prezencën tuaj. Duhet ta themi edhe një konstatim të vërtetë, ju kujtohet kur të gjithë hoqën dorë nga ne në vitin 2008-9, z. Haradinaj ishte i vetmi që pati besim tek ju", deklaroi Menduh Thaçi, kryetar i PDSH-së.
Disa orë para ardhjes së Haradinajt në Tetovë, në shenjë revolte ndaj shpalljes qytetar nderi i Tetovës, reagoi drejtuesi i 'Dinjitetit' Stojanço Angellov, bashkë me dhjetë persona tjerë, të cilët pas disa minutave u larguan pasi siç thanë nuk ndjehen të sigurt.
"Sot jemi dëshmitar se si agresorëve shqiptarë nga Kosova, sepse siç e dimë UÇK e Kosovës me tërë formacionet hynte në Maqedoni, do i ndahet çmimi qytetar nderi, pra sot Maqedonia përmes këshillit komunal të Tetovës e nderon komandantin e UÇK-së nga Kosova Ramush Haradinaj i cili me njësit e veta e sulmonte Maqedoninë në 2001-shin. Ne shprehim revoltën tonë edhe kundër VMRO DPMNE-së e cila mundej të gjente mënyrë ta ndalonte këtë akt i cli nuk kontribuon në fqinjësi të mirë", u shpreh Stojanço Angelov, 'Dinjiteti'.
Ish kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, paraprakisht realizoi takim edhe me liderin e PDSH-së Menduh Thaçi ndërsa vendosi kurora lulesh tek varri i Arbën Xhaferit. Bashkim Sulejmani