Kryeministri i Serbisë Ivica Daçiç ka deklaruar se takimi i mbrëmshëm mes presidentëve Atifete Jahjaga dhe Tomisllav Nikoliç është një hap para dhe pjesë e rëndësishme e tërë proçesit të bisedimeve.
"Ne kemi një politikë të përbashkët, e cila para së gjithash bazohet në mbrojtjen e interesave tona kombëtare dhe shtetërore përmes dialogut", ka thënë Daçiç për mediat serbe.
Ai ka saktësuar se dialogu politik ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit do të vazhdojë më 19 dhe 20 shkurt, kur do të bisedohet për tema jetike si institucionet paralele paralele në veri të Kosovës. Nga ana tjetër ish-kryeministri, Vojisllav Koshtunica ka vlerëson se në takimin e mbrëmshëm me presidenten Jahjaga, Nikoliç ka legalizuar pavarësinë e Kosovës. Ai ka kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Daçiç, i cili sipas tij, hap pas hapi në dialogun me Thaçin po çimenton kufirin mes Kosovës dhe Serbisë. Ndërkohë, takimi mes presidentëve Jahjaga dhe Nikoliq si dhe i gjithë dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit është mbështetur nga opozita në Kosovës.
Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka thënë për mediat në Prishtinë se LDK-ja beson se përmes këtij procesi mund të vijë deri te normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve si dhe të filloj ushtrimi I sovranitetit në tërë territorin e Kosovës. Në këtë kuadër Ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, në një intervistë për të përditshmen austriake "Der Standard", ka thënë se takimi Jahjaga-Nikoliq është njohje de fakto e Kosovës nga ana e Serbisë.
Sipas Hoxhajt, për Kosovën, temat më të rëndësishme të dialogimit të mëtutjeshëm me Serbinë janë shpërbërja e strukturave ilegale në veri të Kosovës dhe anëtarësimi në organizata ndërkombëtare. Ndryshe Takimi Jahjaga-Nikoliq ka qenë i të njëjtit format sikur ai i kryeministrave Thaçi dhe Daqiç, por kësaj radhe ai kishte më shumë simbolikë sesa përmbajtje. Mediat njoftojnë se Jahjaga dhe Nikoliç para nisjes së takimit, në hyrje të zyrës ku ai zhvillohej, i kishin shtrënguar duart, ndërsa në takim secili kishte folur në gjuhën e tij, Jahjaga në shqip dhe Nikoliç në serbisht, me përkthim në anglisht.
Ndërkohë, organizatori i këtij takimi, përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Ketrin Eshton nga ky takim nuk ka lejuar të ketë pamje përveç një fotografie të cilën e dërguan me postën elektronike nga zyra e saj. Ndryshe menjëherë pas takimit përmes një njoftimi për shtyp është deklaruar departamenti Amerikan i Shtetit duke mbështetje të fuqishme dialogut dhe normalizimit të marrëdhënieve fqinjësore mes Kosovës dhe Serbisë. Isuf Kadriu