Drejtori për zgjerim i Komisionit Evropian Stefano Sanino zbriti sot në Shkup për të takuar faktorët politikë vendas, një ditë përpara skadimit të afatit për arritjen e një kompromisi mes qeverisë dhe opozitës. Nga zyra e BE-së në Shkup konfirmuan se Sanino gjendet në Shkup, por pa zbardhur detaje se kë do të takojë dhe çfarë porosish ka sjellë nga Brukseli. Detaje nuk dhanë as nga qeveria dhe as partitë politike. Alsat-M mëson se vizita e numrit 'një' të drejtorisë për zgjerim ka të bëjë pikërisht me afatin që shefi i tij, komisioneri Fyle i caktoi Gruevskit dhe Cërvenkovskit për të zgjidhur krizën politike. Sanino duhej të takonte kryeministrin Gruevski, liderin e opozitës maqedonas Cërvenkovski, dhe kreun e BDI-së Ali Ahmeti. Brukseli insiston kthimin e opozitës në kuvend, dhe pjesëmarrjen e saj në zgjedhjet lokale, por edhe zbardhjen e incidenteve të 24 dhjetorit në parlament, me qëllim që raporti pranveror të mos jetë negativ. Këtë kanë porositur edhe një grup deputetësh të Parlamentit Evropian, të cilët gjenden në vizitë dyditore në vend me ftesë të Ministrit të jashtëm, Nikolla Poposki.
"Demokracia ka të bëjë me dialogun e vazhdueshëm mes maxhorancës dhe opozitës. Dialogu i tillë duhet të zhvillohet në parlament, si një institucion i rëndësishëm demokratik. Prandaj nga pikëpamja e standardeve demokratike, mungesa e opozitës në parlament është diçka e pazakontë, e papranueshme! Duke pasur parasysh faktin se mbështetja e përgjithshme për anëtarësimin e shtetit tuaj në BE është shumë e lartë mendoj se edhe opozita edhe mazhoranca bashkërisht janë të përgjegjshme për një çështje kaq të rëndësishme sikurse anëtarësimi, d.m.th të kujdesen për jetësimin e standardit të lartë të demokracisë. E inkurajoj opozitën të kthehet në parlament", tha Jerzhi Buzek, deputet i PE-së.
"Diskutuam për sfidat me të cilat duhet të ballafaqohemi në periudhën e ardhshme dhe për atë se si mund ta ndihmojmë Parlamentit Evropian që të çojë përpara agjendën evropiane të Maqedonisë", tha Nikolla Poposki, Ministër i Jashtëm.
Edhe euro-deputetët e tjerë, partitë e të cilëve në PE janë të afërta me VMRO DPMNE-në, vendosën opozitën në shënjestër të kritikave, se ajo po dërgon sinjale negative në BE dhe po cenon hapjen e negociatave për anëtarësim. Deputetët evropianë sot takuan edhe përfaqësuesit e tjerë shtetërorë, Presidentin Ivanov, kryeministrin Gruevski, zv/kryeministren Teuta Arifi, si dhe disa deputetë. Në prag të miratimit të rezolutës për Maqedoninë në Parlamentin Evropian nesër vendin do ta vizitojë edhe raportuesi Riçard Houit, ndërkaq javën e ardhshme pritet që në vizitë zyrtarë të mbërrije edhe komisioneri Shtefan Fyle për të konstatuar progresin në marrëdhëniet mes qeverisë dhe opozitës. Semra Jakupi