Pozita e femrës shqiptare në Shkup kohëve të fundit ka pësuar ndryshime pozitive në krahasim me të kaluarën. Gjithnjë e më shumë femra të suksesshme kontribuojnë në shkencë, kulturë, politikë, dhe ekonomi. Kështu shprehet drejtorja e Qendrës Kulturore Informative, Sermine Purrini. Sipas saj femrat shqiptare arritën të bëhen pjesë e pandarë e ngjarjeve dhe ndryshimeve në Shkup e më gjerë.
"Me një përkushtim të madh dhe me një pasion të gjitha vështirësitë kalohen me lehtësi pasi ne femrat mundemi të mbajmë barrën. Ia dalim pasi ne femrat kemi dy lloje të angazhimeve, një në shtëpi dhe një në vendin ku punojmë por me përkrahjen e familjes, bashkëshortit, me përkrahjen e fëmijëve, ia dalim edhe sepse kur e marrim punën e punojmë me përkushtim shumë të madh", tha Sermine Purrini, Drejtore e QIK-Shkup.
Sipas Purrinit vetëm në Shkup mbi 50 poste udhëheqëse i takojnë femrës shqiptare. Ajo thotë se obligimet e tyre ato i kryejnë me përgjegjësi dhe përkushtim kurse institucionet që u janë besuar i udhëheqin njëjtë sikur edhe meshkujt.
"Postet të cilat i mbajnë femrat shqiptare në Shkup dhe që kanë treguar suksese në punën e tyre është drejtorja e Shërbimeve të Klinikave të Maqedonisë, pastaj është drejtorja e Kullosave të Maqedonisë, është drejtoresha e Galerisë Nacionale të Maqedonisë, nga femër shqiptare drejtohet edhe Qendra Kulturore Informative. Kemi drejtoreshë e cila i mbanë 5 objekte të çerdhes Fidani, shkolla fillore Imri Elezi në Çair drejtohet nga një femër shqiptare d.m.th është një lepezë e gjërë e grave që udhëheqin pozicione shtetërore", deklaroi tha Sermine Purrini, Drejtore e QIK-Shkup.
Drejtorja e Qendrës Informative Kulturore-Shkup, Sermine Purrini thotë se ky vetëm një fillim, një bazë solide mbi të cilat femra shqiptare mund të dëshmojë veten se është e barabartë në shoqëri, nga aspekti i suksesit në punë. Valmir Kuçi