Qytetarët shqiptarë dëgjuan apelet e subjekteve të ndryshme, për bojkotimin e protestave me organizatorë të fshehtë. Protestat që ishin paralajmëruar në rrjetet sociale nga përdorues të fshehtë për sot në mesditë, u bojkotuan nga shumica e qytetarëve. Në marshim drejt objektit të qeverisë u nisën vetëm rreth 100 persona, edhe atë kryesisht të mitur. Para xhamisë së Jahja Pashës, prej ku ishte paralajmëruar nisja e protestuesve, dhjetëra qytetarë më të moshuar u munduan që të shpërndajnë të rinjtë, duke i bindur se protestat pa organizatorë mund të kenë qëllime të dyshimta.
"Do ti japim shans edhe një herë qetësisë, rendit publik. Protesta duhet të ketë edhe organizatorë. Pasi nuk ka organizatorë, krye në vete nuk bën të dalim. Duhet të mësojmë ne shqiptarët të kemi disiplinë, pa disiplinë asgjë nuk bëhet...", tha Ismail Jashari, qytetar.
Megjithatë një grup të rinjsh nuk dëgjuan këto apele dhe pa ndonjë organizim nisën marshim drejt qeverisë. Protestuesit u ndaluan nga policia e shumtë në numër dhe e përgatitur me mjete të posaçme për shpërndarje të turmave vendosi kordonin bllokues nën urën në afërsi të Kalasë. Protestuesit u zmbrapsën shpejtë dhe kryesisht të qetë. Benjamin Arifi