Familja Zeqiri nga Radishani, është sulmuar mbrëmë me kokteje molotovi, në tentim për ti djegur pronat e tyre. Sulmi ka ardhur gjysmë ore pas mesnate, kur persona të maskuar, të strukur në oborrin e çerdhes përballë shtëpisë së familjes Zeqiri, kanë sulmuar me shishe xhami të mbushura me benzinë truallin e kësaj familjeje. Për fat të mirë, asnjë nga anëtarët e familjes nuk është lënduar, dhe sulmuesit nuk kanë arritur qëllimin, që të djegin shtëpitë e tyre. Familjarët shpjegojnë se nuk është hera e parë që të jenë viktimë e sulmeve vandale, pasi edhe disa herë më parë, shtëpia e tyre është sulmuar me gurë, shishe xhami, madje edhe bomba dore.
"Na kanë gjuajtur me benzinë, me shishe. Në shtëpi, në oborr, ja ku kanë rënë shishet. Kemi qenë në gjumë, ora 12:30 e natës. Jemi zgjuar dhe kemi parë oborrin gjithë flakë e zjarr. Nuk kemi ditur nga të dalim. Nuk është kjo hera e parë, shumë herë jemi në vuajtje, me të këqija. Askush nuk ka dalë në ndihmë deri ditën e sotit", deklaroi Zyber Zeqiri, banor i Radishanit.
Kryefamiljari Zeqiri thotë se sulmet e këtilla nuk do t'ia arrijnë qëllimi që ai të shpërngulet nga ky vend ku jeton me vite të tëra, por ndërkohë kërkon nga institucionet të ndarrmin masa për mospërsëritjen e sulmeve.
"Ata janë duke na djegur. Por është fat i mirë që ne nuk frikohemi, dhe nuk lëshojmë vendin, se sa për ato që kemi në Qeveri, dhe shqiptarët që na përfaqësojnë, ata edhe këta fëmijë do të na kishin djegur. Mbrëmë ka qenë sulm i madh, organizim i madh. Bëj apel të merr në dorë dikush këtë punë, se mund të ndodh diçka që nuk duhet të ndodh", tha Faik Zeqiri, banor i Radishanit.
Nga policia konfirmojnë rastin, por theksojnë se akoma nuk kanë detaje për autorët apo motivet e sulmit.
"Kur të kemi, do t'i publikojmë", tha Gordana Jankullovska, Ministre e Punëve të Brendshme.
Nga sulmi i huliganëve nuk është shënuar ndonjë dëm më i madh material. Megjithatë, fëmijët dhe gratë e këtyre familjeve, siç shpjegojnë familjarët, janë tmerruar nga frika, dhe është dashur që të intervenojë ndihma e shpejtë për të qetësuar fëmijët e trishtuar. Benjamin Arifi