LSDM-ja do të ankimojë pranë KSHZ-së 210 shkelje të VMRO DPMNE-së. Ankesat e partisë së Cërvenkovskit kanë të bëjnë me fillimin e parakohshëm të fushatës parazgjedhore dhe shkeljen e nenit 69 të Kodit Zgjedhor. Për shkeljet, LSDM-ja kërkon ngritjen e procedurës kundërvajtëse.
"Ekipi ynë juridik ka evidentuar se në periudhën kohore nga 16 shkurt deri më 4 mars në mesnatë, përpara fillimit zyrtar dhe ligjor të fushatës, kandidatët e VMRO DPMNE-së përmes mbledhjeve publike, pllakateve, përfaqësimit mediatik, në internet, kanë shkelur në mënyrë të drejtpërdrejtë rregullat zgjedhore...Organizatori i fushatës së koalicionit të VMRO DPMNE-së duhet të paguaj dënim prej 1 365 000 deri në 2 414 000 euro në vlerë denari", tha Igor Ivanovski, shef i shtabit zgjedhor të LSDM-së.
LSDM-ja paralajmëroi se do të evidentojë dhe dokumentojë edhe parregullsitë e tjera eventuale që do të bëjë VMRO DPMNE-ja së bashku me organet e partizuara shtetërore dhe media të regjimit. Këto parregullsi do t'i shpalosin në 'librin e zi'.
"Të gjithë e kanë të qartë se Nikolla Gruevski nuk e ka ndërmend të organizojë zgjedhje të lira dhe korrekte. Nuk është e rastësishme që VMRO DPMNE-ja nuk do t'i përfshijë rekomandimet e ODBE/ODIHR-it në Kodin Zgjedhor. Shpërdorimet që bën regjimi janë dëshmi se edhe VMRO DPMNE-ja është e vetëdijshme se kryeministri dhe politikat e tij e humbin mbështetjen e popullit. Kjo është arsyeja përse Nikolla Gurevski manifeston nervozizëm dhe gjithnjë e më shumë përdor fushatë të ndyrë dhe të zezë", deklaroi Igor Ivanovski, shef i shtabit zgjedhor të LSDM-së.
Nga LSDM-ja presin që organet kompetente të procedojnë menjëherë ankesat e tyre, edhe pse Ivanovski theksoi se nuk do të habitej nëse organet e partizuara të VMRO-së të qëndrojnë të shurdhëta ndaj shkeljeve. Semra Jakupi