Sonte në mesnatë përfundon fushata zgjedhore për rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale. Nesër dhe të dielën është heshtje zgjedhore. Në rrethin e dytë do të votohet në 29 komuna dhe qytetin e Shkupit, ndërsa për rrethit e parë do të rivotohet në tre vendvotime në Strumicë dhe në një në Komunën e Dollnenit. Në Strumicë do të rivotohet në vendvotimet 1727, 1730 dhe 1734, ku do të ketë gjithsej 3.255 votues. Materiali zgjedhor tashmë është dorëzuar në komisionet zgjedhore komunale, të cilët duhet t'i dërgojnë në këshillat zgjedhorë. Nesër votojnë personat e sëmurë dhe të sëmurët, persona që ndodhen në vuajtjen e masës së arrestit shtëpiak dhe personat e zhvendosur brenda vendit. Rrethi i dytë i zgjedhjeve për kryetarë komune do të ketë në Tetovë, Gostivar, Strugë, Kumanovë, Çair, Butel, Haraçinë, Bërvenicë, Resnjë, Debarcë, Studeniçan, Tearcë, Berovë, Manastir, Bogdanc, Veles, Vrapçisht, Dellçevë, Gjorgje Petrov, Jegunoc, Kavadar, Karbincë, Karopsh, Koçanë, Llozovë, Mogillë, Nagoriçani i Vjetër, Komunën Qendër, Çeshinovë-Obleshevë dhe Qytetin e Shkupit. Gara do të zhvillohet kryesisht ndërmjet VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së si dhe BDI-së e PDSH-së. Me përjashtim të Komunës së Strugës , Bërvenicës dhe Dollnenit, lufta është mes maqedonasve dhe shqiptarëve. Në Tetovë garojnë Teuta Arifi nga BDI-ja me kandidatin e PDSH-së, Sadi Bexheti ndërsa në Gostivar Rufi Osmani nga RDK-ja me Nevzat Bejtën nga BDI-ja. Në Çair garojnë Izet Mexheti nga BDI-ja me Muhamed Thaçin nga PDSH-ja. Në Strugë zhvillohet garë etnike mes Ziadin Selës së PDSH-së dhe Vlladimir Koçovskit nga koalicioni VMRO DPMNE --LSDM. Gara mes partive shqiptare në komunat rurale do të zhvillohet mes BDI-së dhe PDSH-së me përjashtim të Haraçinë ku në garë është kandidati i pavarur Bastri Bajrami me kandidatin e BDI-së, Brahim Ajvazi. Mes VMRO DPMNE- së dhe LSDM-së garë e fortë do të zhvillohet për qytetin e Strumicës mes Zoran Zaevit dhe Vasil Pishevit, në Kumanovë garojnë Zoran Damjanovski i LSDM-së dhe Zoran Gjeorgjievsk i VMRO-DPMNE. Luftë e ashpër pritet për Komunën Qendër mes Andrej Zhernoivski të opozitës dhe Vlladimir Todoroviqit të VMRO-DPMNE-së. Për qytetin e Shkupit në rrethin e dytë garojnë Koce trajanovski nga VMRO-DPMNE-ja dhe Jani Makraduli nga LSDM-ja.
Ndryshe gjatë rrethit të parë zgjedhorë të mbajtur më 24 mars sipas rezultateve zyrtare të shpallura nga KSHZ-ja, në 49 komuna procesi i votimit ka përfunduar që në rrethin e parë. VMRO-DPMNE doli fituese në 38 komuna, LSDM-ja në një komunë atë të Rankovcës, BDI-ja fitoi në 8 komuna, derisa në komunën e Çuçer Sandevës ka fituar kandidati i pavarur Jovan Pejkovski, si dhe në Komunën e Shuto Orizares ka fituar kandidati i Lidhjes së romëve të Maqedonisë Elvis Bajram. Bedri Rexhallari