Ndërsa neni 13 i Ligjit për përdorimin e gjuhës maqedonase parashikon gjoba për subjektet që i publikojnë pa lekturuar tekstet e tyre, Ligji për përdorimin e gjuhës shqipe nuk parashikon një masë të tillë penalizuese. Këtu qëndron edhe shkaku kryesor, i vazhdimit të sagës së qindra gabimeve në gjuhën shqipe, që hasen në mbishkrime ose broshura, përfshi edhe nga institucione të ndryshme shtetërore. Në nenin 13 të ligjit për përdorimin e gjuhës maqedonase, mes të tjerash thuhet se personi juridik që do të lejojë publikimin e teksteve të pa-lekturuara do të gjobitet nga 1 deri në 35 mijë denarë.
"Me gjobë në para, prej 10 deri në 20 mijë denarë do të gjobitet për shkelje, personi juridik që publikon tekst të pa lekturuar (neni 7 paragrafi 1). Me gjobë prej 1 deri në 35 mijë denarë do të gjobitet edhe personi përgjegjës në subjektin juridik në fjalë, ku për shkak të veprimtarisë së tij ose lëshimeve nga detyra e tij mbikëqyrëse, ka dhënë pëlqimin të publikimit të shkeljes, sipas paragrafi 1 të nenit 7. Për shkeljen e paragrafit 1 të këtij neni mund të caktohen edhe masa të tjera ndëshkuese, marrjen e licencës për publike të tjera të ardhshme", thuhet në ligj.
Edhe albanologu Havzi Mustafa i bën thirrje autoriteteve, se është momenti i fundit për ndryshime në Ligjin për përdorimin e gjuhës shqipe.
"Prandaj unë besoj dhe jam i mendimit që të formohet një ligj, në kuvend të aprovohet ku do të mbrohet gjuha shqipe por edhe maqedonishtja dhe nuk do të mbetet që çdo gjë të përkthehet nga individë por do të ketë institucione që do të jenë kryesisht të profesionalizuar për standardin e gjuhës shqipe dhe çdo gjë atëherë do të jenë në rregull se do ta marr përgjegjësin ai institucion i cili do të merret me këtë. Përndryshe kështu në mënyrë individuale çdoherë do të kemi gabime dhe kështu ne nuk mund ta rruajmë gjuhën. Gjuha ruhet atje ku edhe shkruhet", tha Havzi Mustafa, profesor universitar.
Ndërkohë vetëm një ditë më parë zëdhënësi i Qeverisë Muhamet Hoxha iu bëri apel institucioneve dhe nëpunësve shtetërorë që merren me përkthime, të bëjnë kujdes gjatë formulimit të broshurave informuese.
"Në këtë drejtim u apelojmë të gjitha institucioneve por edhe nëpunësve shtetëror dhe atyre publike që merren me përkthim në institucionin përkatës të jenë më të kujdesshëm gjate kryerjes së punës se tyre. Në drejtim të kësaj dhe në favor te kësaj Sekretariati për implementimin e M.O. me qëllim të ngritjes së kapacitetit administrative nëpër institucione në bashkëpunim me ambasadën e Britanisë se Madhe realizon edhe projektin për aftësimin apo trajnimin e përkthyesve nëpër institucionet e sistemit", deklaroi Muhamet Hoxha, zëdhënës i Qeverisë.
Gjatë javës që lëmë pas Alsat-M publikoi dhjetëra raste të gabimeve të rënda gramatikore të përdorimit të shqipes, që nga shenjat rrugore, e deri edhe tek materialet promovuese, broshurat si dhe reklamat që i shpalosen publikut të gjerë. Melihate Rustemi