Atmosferë festive, shumëllojshmëri lulesh e ngjyrash dhe plot gjallëri. Kështu është pritur dita e Luleve në Shkodër, që njihet si festa e ripërtëritjes. Bashkia e Shkodrës organizoi një sërë aktivitetesh kulturore dhe artisitike me pjesëmarrjen e qindra të rinjve, fëmijëve dhe qyetarëve shkodranë.
Subjekt i festës ishin lulet, ku e gjithë atmosfera festive, përfshinte shumëllojshmërinë dhe sfondin e bukur të tyre.
Kryebashkiaku i Shkodrës Lorenc Luka tha se kjo festë është kthyer në një traditë, e cila gjallëron jetën në qytetin e Shkodrës.
Organizimet për këtë ditë janë mbajtur në mjedise të ndryshme të qytetit si në pedonalen "Kolë Idromeno" dhe në sheshin "Luigj Gurakuqi" ku përveç panaireve, koncerteve dhe paradave me kostume është menduar edhe mbjellja e fidanëve dekorativë.
Ndërkohë janë organizuar edhe ekspozita, punime në pikturë, punime të artizanatit në serm, bakër, dru, qëndistari, qilima, pëlhurë, etj si dhe kostume tradicionale të zonës.