FUSHE-KRUJE - Tre persona me maskë kanë grabitur në banesën e një biznesmeni një kasafortë, që mbante rreth 100 mijë euro. Policia e Fushë-Krujës bën me dije se ngjarja u shënua në lagjen Kastrioti në Fushë Krujë mëngjesin e sotëm, në banesën e biznesmenit të ndërtimit, Edmond Tema.
Mësohet se në momentin e ngjarjes në banesë ka qenë vetëm bashkëshortja e biznesmenit. Ka qenë ajo, që ka njoftuar bashkëshortin se kasaforta me 100 mijë eurot ishte zhdukur në mënyrë misterioze.
Burime nga policia e Fushë-Krujës bëjnë me dije se kanë qenë 3 persona me maskë ata të cilët kanë hyrë dhe kanë dalë qetësisht nga banesa me kasafortë në dorë dhe janë larguar në drejtim të paditur.
Jashtë kamerave, biznesmeni thotë se paratë ishin të mbyllura në një kasafortë me kod, e përmasave 75 me 50 cm.
Personi të cilit i vodhën 100 mije është sipërmarrës në fushën e ndërtimit, ndërsa paratë i mbante cash në banesë pasi këto ditë priste të niste një investim për ndërtimin e një karburanti në periferi të Fushë-Krujës.
Policia ndodhet në banesën e biznesmenit dhe po heton për zbardhjen e ngjarjes.
Ende nuk janë sqaruar rrethanat e grabitjes, por policia ka ngritur edhe pistën e grabitjes nga të afërm të biznesmenit. (ad.ti/shqiptarja.com)