Bullgari, tensione pas zgjedhjeve të djeshme

alsatmtv 2015-08-21

Views 1

Në këtë mënyrë një pjesë e banorëve të kryeqendrës bullgare mbrëmë i pritën rezultatet e zgjedhjeve të djeshme parlamentare. Të tubuar në qendër të Sofjes, protestuesit akuzuan autoritetet për falsifikim të procesit zgjedhor. Mbi policinë hidhnin shishe ndërsa një pjesë e protestuesve tentuan ta depërtojnë kordonin policor. Rezultatet e para treguan se partia e ish-kryeministrit Bojko Borisov, "Qytetarët për zhvillim evropian të Bullgarisë", GERB, kryeson me 31 për qind para grupimit socialist "Koalicionit për Bullgari", që mori 27 për qind të votave. Socialistët, fuqia e dytë në këto zgjedhje, nuk duan që pushtetin sërish t'ia lënë Borisovit dhe partisë së tij duke e akuzuar për falsifikim zgjedhor.

"Duke marrë parasysh parregullsitë dhe kaosin në ditën e zgjedhjeve, mund të thuhet se zgjedhjet ishin të korruptuara. Por, çfarë do të vijojë? Qeveria e përkohshme që udhëhiqte gjatë dy muajve të kaluar dhe e cila u tregua si edicion i dytë i GERB, do të vazhdojë të udhëheqë", tha Sergej Stanishev, lider i Partisë Socialist Bullgare.

Tensionet në Bullgari filluan një ditë para zgjedhjeve, kur policia gjeti dhe sekuestroi 350 mijë fletëvotimeve të shtypura në mënyrë të paligjshme. Bëhet fjalë për tepricë të materialit votues, të gjetur në shtypshkronjën që ka shtypur materialin zgjedhor. Reagimet e para te bullgarët lënë përshtypje se mendimet e popullit janë të ndara.

"Sipas meje, këto janë rezultate të pritura nga zgjedhjet e mbajtura mirë. Fitorja e GERB, nëse rezultati mund të quhet fitore, për mua është e mirë", u shpreh Dijana Hristova, banore e Sofjes.

"Rezultatet nuk më pëlqejnë dhe presim zgjedhje të reja në vend", tha Emil Mlladenov, banor i Sofjes.

"Pritjet janë të njëjta si edhe vetë rezultati. Megjithatë, unë dëshiroja diçka të re. Tani partitë e vjetra sërish janë në Parlamentin. Do të jetë e vështirë që të formohet Qeveri", tha Ivan Antonov, banor i Sofjes.

Edhe analizat e shumta flasin se sikur rezultatet të jenë zyrtare, Borisovi nuk do të ketë shumicën e mjaftueshme në Parlamentin 240 anëtarësh, andaj do të jetë i detyruar të formojë koalicion, por kjo nuk do të jetë detyrë e lehtë. Zgjedhjet e parakohshme parlamentare erdhën pas protestave masive për shkak të çmimeve të larta të energjisë, varfërisë dhe korrupsionit. Zgjedhjet duhej të mbaheshin në korrik, por ato u majtën më herët meqë Borisovi dha dorëheqje pas demonstratave të shkurtit. Fushata zgjedhore ishte shkelur edhe me skandalin e përgjimit të paligjshëm, siç supozohet, me urdhër të ish-ministrit të Punëve të Brendshme. Petar Bllazhevski

Share This Video


Download

  
Report form