Katër ditë pas vrasjes së një 15 vjecari me thikë në zemër pas një zënke për videolojëra në një pikë internet, kanë reaguar të rinjtë e shkollave të mesme në Durrës. "Bashkohu dhe ti, t'i themi jo dhunës". Ka qenë ky slogani i një manifestimi të organizuar me nxënësit e shkollave për ti thënë stop dhunës dhe kriminalitetit në shoqëri përgjatë bulevardit kryesor deri tek sheshi para Pallatit te Kulturës "Aleksander Moisiu".
Aktiviteti erdhi falë një projekti suedez për familjarizimin e policisë në komunitet dhe përmirësimin e aftësive të Policisë së Shtetit në sigurimin e rendit.
"Shpresojmë të përmirësojmë marrëdhëniet mes komunitetit dhe policisë në Shqipëri. Ky partneritet mund të bëhet shumë mirë dhe nga gjithë aktorët lokal po marrim mbështetje shumë të mire. Ato vijnë me ide shumë interesante dhe të mëdha siç ishte ky manifestim. Shpresojmë të bëjmë Shqiperinë një vend më të mirë dhe më të sigurt për të jetuar.
Projekte të tilla janë të suksesshme, sepse janë banorët lokal ato që i kuptojnë nevojat e tyre, se sa ndërkombëtarët, ndaj jam shume krenar që jam pjesë e këtyre projekteve", tha drejtuesi i projektit.
Projektit "Bashkohu dhe ti, t'i themi jo dhunës", zbatuar në 3 nga shkollat e mesme të qytetit të Durrësit, Benardina Qerraxhia, Leonik Tomeo dhe Hysen Çela, pati si synim informimin dhe ndërgjegjësimin e të rinjve mbi dhunën dhe pasojat tek të rinjtë.