Edhe pas disa takimeve që kryetari i komunës së Strugës Ziadin Sela ka zhvilluar me përfaqësuesit e partive politike shqiptare, ende nuk kanë arritur një marrëveshje për bashkëpunim për konstituimin e këshillit të ri komunal apo edhe marrëveshje koalicionimi qeverisës për katër vitet e ardhshme. Nga PDSH-ja thonë se bisedimet janë në rrjedhë e sipër dhe nuk dëshirojnë që publikisht të prononcohet për këtë çështje. Jo zyrtarisht bëhet e ditur se PDSH-ja i ka kërkuar BDI-së mbështetje për emërimin e Abdulla Qazimoskit për Kryetar të këshillit komunal. Kjo konfirmohet edhe nga kryetarit i degës së BDI-së në Strugë, Ramiz Merko.
"Këto ditë janë nisur dhe ka kërkesa për bisedime, për konsolidimin e subjekteve politike të cilat marrin pjesë në këshillin e komunës së Strugës, për koalicionim lokal, një gjë e tillë i është afruar edhe BDI-së. Kemi pasur disa takime me kryetarin aktual z. Sela dhe sigurisht që jemi në bisedime me kryetarin dhe kryesin e BDI-së, për mënyrën e afrimit të rreth bashkëpunimit në nivel lokal. Në vitin 2009, PDSH-së edhe pse iu afrua pothuajse gjysma e pushtetit lokal, por ata nuk e gjetën të rrugës të bashkëpunojnë më BDI-në", tha Ramiz Merko, Kryetar i degës së BDI-së Strugë.
Merko thotë janë të hapur për bisedime dhe bashkëpunim për emrin e kryesuesit të këshillit dhe për mënyrën e qeverisjes, nëse do të jetë bashkëpunim apo koalicion mes partive shqiptare.
"Varet se si do të jetë oferta e Partisë Demokratike Shqiptare. Demokracia ka parime dhe këto parime duhet të përfillen në një farë mënyrë për të koalicionuar për këshillin e Strugës. Mendoj se nuk ka ardhur akoma vendimi se kë do të mbështesim, akoma nuk bëhet fjalë për persona ne mendojmë se interesi edhe i joni është , nqs bashkëpunoj për një mandat të tërë në mënyrë konstruktive, nje gjë të tillë nqs e përkrah edhe PDSH", tha Ramiz Merko, kryetar i degës se BDI-së Strugë.
Në rast të arritjes së marrëveshjes për koalicionim mes PDSH-së dhe BDI-së atëherë dy partitë duhet të diskutojnë edhe për ndarjen e posteve që si më të rëndësishme konsiderohen ndërmarrja komunale e pastrimit, ujësjellësi dhe sektori komunal për arsim, por edhe drejtori tjera që janë nën kompetencë të pushtetit lokal. Në këshillin e Strugës PDSH dhe BDI përfaqësohen me nga 7 këshilltar, RDK-ja me dy, ndërsa koalicioni i partive maqedonase VMRO-LSDM ka 11 këshilltar komunal. Durim Etemi