Komisioneri i BE-së për zgjerim, Shtefan Fyle tha se çdo nismë rajonale duhet të jetë gjithëpërfshirëse. Ai këtë deklaratë lidhur me anulimin e samitit të presidentëve e bëri në Ohër ku sot mbahet Konferenca e Ministrave të Jashtëm të Evropës. Fyle porositi liderët e Ballkanit Perëndimor që të ndjekin shembullin e Prishtinës dhe Beogradit për kapërcimin e dallimeve mes tyre.
"Me rëndësi për mua është gjithë-përfshirja në takimet e tillë, ashtu si sot që jemi ulur në të njëjtët tryezë përfshirë edhe Kosovën si mysafire speciale", tha Shtefan Fyle, Komisioneri evropian për zgjerim.
Në takimin e sotëm të Ministrave të Jashtë të Evropës Juglindore në Ohër, Kosova u përfaqësua nga zv/ministri i jashtëm Petrit Selimi. Nga ana tjetër, Romania një ditë më parë kishte propozuar që Samitit i Presidentëve që duhej të mbahej nesër në Ohër të organizohet të njëjtën ditë në Bukuresht. Por ky propozim u hodh poshtë nga krerët e shteteve anëtare të Procesit për Bashkëpunim të Evropës Juglindore.
Nga ana tjetër Komisioneri për zgjerim Shtefan Fyle Konferencën e sotme të Ministrave të Jashtëm të Evropës Juglindore e shfrytëzoi për të inspektuar përmbushjen e marrëveshjes politike të 1 marsit. Fyle shprehu keq ardhje për mos formimin ende të Komisionit hetimor për ngjarjet e 24 dhjetorit dhe mos dhënies fund të ngërçit politik.
"Krijimi sa më shpejtë i Komisioni hetimor shkon në të mirë të vendit, pasi në këtë mënyrë do t'u ndihmohej shteteve anëtare që të arrijnë konsensusin për fillimin e bisedimeve. Marrëveshja e 1 marsit është e qartë, disa nga çështjet janë implementuar, disa jo, veçanërisht Komisioni hetimor. Është shumë me rëndësi që të ndërmerren hapat e duhura në drejtim të përmbushjes se të gjitha pikave të mbetura të marrëveshjes", tha Shtefan Fyle, Komisioneri evropian për zgjerim.
Komisioneri evropian tha se nuk dëshiron të parashikojë rezultatet e mundshme të Samitit të qershorit por tërhoqi vërejtjen se shtetet anëtare që të përqendrohen pikërisht në përmbushjen e kësaj marrëveshjeje gjatë vendimit të tyre. Semra Jakupi