Ademi: Të gjithë funksionarët janë nën 'llupën' e partisë

alsatmtv 2015-08-21

Views 1

Përfaqësimi i drejtë dhe adekuat si dhe përdorimi i gjuhës shqipe janë ndër problemet më të theksuar me të cilat përballen funksionarët shqiptarë, veçanërisht ata të eshalonit të dytë dhe të tretë. Funksionarët në fjalë, por edhe ata të eshalonit të parë përfshirë zv/ kryeministrin dhe ministrat, janë gjithnjë nën llupën e partisë dhe janë të obliguar që në çdo 6 muaj të raportojnë para organeve përkatëse të partisë për punën dhe rezultatet në institucionet që drejtojnë. Në këtë vijë, sipas sekretarit të përgjithshëm të BDI-së Abdylaqim Ademi, tek të gjithë ata të cilët do të vërehen ngecje në përmbushjen e përcaktimeve programore të BDI-së, do të ndërmerren masa për shkarkim ose zëvendësim.

"Ne kemi instaluar edhe një mekanizëm tjetër në BDI, mekanizmin e kontrollit ku çdo funksionar, qoftë ai zv/kryeministër, ministër, zv/ministër, drejtor, zv/drejtor por edhe kryetar komunash dhe funksionarë të tjerë në çdo 6 muaj, duhet të dërgojnë raport me shkrim në parti i cili shqyrtohet nga organet kompetente dhe sigurisht në bazë të rezultateve dhe evaulimit që bëhet nga organet e BDI-së, merret edhe vendimi për avancimin ose për shkarkimin e ndonjërit nga funksionarët", deklaroi Abdylaqim Ademi, sekretar i përgjithshëm i BDI-së.

Ademi kujtoi se pikërisht përfaqësimi i drejtë dhe përdorimi i gjuhës janë shtyllat kryesore të Marrëveshjes së Ohrit. Megjithatë, ai pranoi se kjo nuk është çështje që mund të zgjidhet vetëm nga një individ, por kërkon një angazhim shumë më të madh.

"Kur flasim për këto dy shtylla kryesore nuk duhet dhe nuk guxojnë të jenë vullnet i një individi ose i një udhëheqësi të një institucioni, por duhet të jenë obligim dhe janë obligim edhe kushtetues edhe ligjor, dhe këto duhet të implementohen, prandaj kërkohen kapacitete intelektuale dhe resurse humane që këto edhe të mund ët realizohen. Prandaj them që kërkimet ose zëvendësimet eventuale gjithmonë janë në funksionim të përmirësimit të efikasitetit dhe përmbushjes të përcaktimeve tona programore", u shpreh Abdylaqim Ademi, sekretar i përgjithshëm i BDI-së.

Në vijë të shkarkimeve apo zëvendësimeve Ademi kujtoi fjalimin e liderit të BDI-së Ali Ahmeti, gjatë kongresit të fundit të BDI-së, ku u shprehë se të gjithë ata që ndihen të lodhur mund të pushojnë dhe t'u lënë vendin të tjerëve me vullnet, dije dhe kapacitet për t'i nxitur proceset përpara. Ndërkaq, Alsat-M prej kohësh ka denoncuar shumë Drejtori dhe Ndërmarrje Publike ku udhëheqësit shqiptarë përballen me çështjet e lartpërmendura. Të tilla janë që nga Enti i Statistikave, Ndërmarrjet Publike të transportit, ujësjellësit, Parkimit, Zjarrfikësit, Fondit të Sigurimeve Shëndetësore etj, ku përqindja e shqiptarëve është larg përqindjes së duhur. Bedri Rexhallari

Share This Video


Download

  
Report form