STAMBOLL - Një identitet i ri po lind në rrugët e Stambollit, ku demonstruesit po quhen "Çapulcu" që nga gjuha turke do të thotë vandal apo plaçkitës. Protestuesit në parkun Gezi në qendër të Stambollit festojnë me moton "Çapulcu" duke iu referuar termit që përdori për ta Kryeministri Recep Tayyip Erdogan. Ata thonë se nuk janë vandalë, por qytetarë të gatshëm për të luftuar për një arsye të mirë. Në fillim protestat ishin paqësore dhe nisën si çështje lokale kundër prerjes së pemëve në të vetmen hapësirë e gjelbër në qendër të Stambollit. Por më pas protestat janë kthyer anti qeveritare, ku policia ka reaguar me force duke përdorur gazin lotsjellës dhe çisterna uji në disa qytete kryesore të Turqisë. "Lëvizja 'Çapulcu' do të thotë që të kemi guxim kundër qeverisë dhe forcave të policisë dhe për të mbrojtur të drejtat kushtetuese",-tha njëri prej aktivistëve.