Shpërthen treni në Kanada, një i vdekur e dhjetëra të humbur

alsatmtv 2015-08-21

Views 4

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur të shtunën në Kanada, pasi një tren që bartte naftë të papërpunuar ka shpërthyer në qytetin Lac-Megantic. Shpërthimi ka marrë jetën e një personi, ka detyruar 1,000 të tjerë të evakuohen, si dhe ka shkaktuar shtëllunga të mëdha tymi në ajër. Qyteti i fatkeqësisë ndodhet rreth 250 kilometra në lindje të Montrealit. Policia dhe ekipet e shpëtimit janë duke kërkuar për dhjetëra njerëz të zhdukur. Treni ka pasur mbi 70 vagonë-cisterna me naftë, disa prej të cilave kanë shpërthyer. Shkaqet e incidentit nuk janë bërë të ditura ende.

"Ngjarja shumë më preku. Lutjet e mia, si dhe lutjet e të gjithë kanadezëve janë me banorët e qytetit Lak Mezhantik. Për fat të keq, është e qartë se ne do të përballemi me viktima njerëzore, por ende nuk ka supozime për numrin e tyre. Dua të shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta për familjet dhe miqtë e të gjitha viktimave", tha Stefen Harper, kryeministër i Kanadasë.

Në qytet janë shkatërruar më shumë se 400 shtëpi. Autoritetet e Kuebekut njoftuan se kompozicioni i trenit ishte i ngarkuar me shtatë mijë ton naftë të papërpunuar të importuar nga shteti federal amerikan Dakota Veriore. Disa dëshmitarë kanë thënë se në kohën kur treni ka arritur në qytet, ka qenë duke lëvizur me shpejtësi të konsiderueshme. Rreth 120 zjarrfikës kanë luftuar me flakët. Zjarrfikësit përtej kufirit në SHBA kanë ndihmuar po ashtu.

"Kompozicioni i trenit lëvizte shumë shpejt. Ka mund të vërehej vetëm se para syve fluturonin cisternat. Papritmas u vërejtën shumë xixa dhe njëra nga cisternat doli nga shinat dhe u përmbys. Pasi isha në afërsi fillova të iki sa më shpejt".


"Dëgjuam një shpërthim dhe papritmas u paraqitën topa të mëdha të zjarrta. Zjarri e gëlltiti kafe barin e afërt. Vrapova në rrugë dhe kur u ktheva pashë se kudo rrjedhin lumenj të zjarrtë".

Zëdhënësi i kompaninë hekurudhore, Montreal Maine, Kristof Zhurne, deklaroi se treni ishte parkuar në lokalitetin e afërt Nant, rreth 13 kilometra në perëndim të qytetit Lak Megantic. Edhe pse, sipas tij, frenat ishin aktivizuar, treni papritmas filloi të lëvizë në drejtim të qytetit. Për shkak të terrenit të pjerrët ,treni mori përshpejtim të madh dhe doli nga shinat. Ministria kanadeze e Mjedisit njoftoi se një pjesë e naftës u derdh edhe në lumin e afërt. Petar Bllazhevski

Share This Video


Download

  
Report form