Vizita e kreut të BDI-së Ali Ahmeti në Bullgari nxori në pah gatishmërinë e Sofjes zyrtare për të përkrahur Maqedoninë në integrimet e saj euro-atlantike. Në takimet me kryeministrin bullgar Plamen Oresharski dhe Ministrin e Jashtëm Kristian Vigenin, Ahmeti tha se nuk është ngritur ndonjë çështje e hapur midis dy vendeve, por përkundrazi ka marrë garanci nga autoritet bullgare se do të ndihmojnë Maqedoninë, përfshi edhe në procesin e zgjidhjes së emrit. Bashkëbiseduesit kanë rënë dakord që historinë t'ia lënë historianëve, ndërsa ata të angazhohen për kultivimin e marrëdhënieve të mira ndër-fqinjësore dhe të ardhmen evropiane të vendeve të Ballkanit. Të dyja palët kanë konstatuar se të gjitha mosmarrëveshjet mund të kapërcehen përmes dialogut dhe bisedimeve të ndërsjella.
"Me siguruan autoritet e larta bullgare qe përkrahja për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe BE asnjëherë nuk kanë munguar dhe nuk do të mungojnë, dhe njëkohësisht, edhe ndihma për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me palën greke gjithashtu nuk do të mungoje... pra ka një gatishmëri miqësore që të inkurajohet si Maqedonia ashtu edhe Greqia që sa më parë kjo çështje e hapur, të mbyllet me qëllimin më të mirë që Maqedonia të marrë ftesën për në NATO dhe datën për fillimin e bisedimeve me BE-në", tha Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.
Ahmeti hodhi poshtë zërat se nisma e tij është vetjake dhe e pakoordinuar me Gruevskin. Kreu i BDI-së tha se nuk ka dallime me kryeministrin për sa i përket nismave të tij dhe se madje, atij i është shprehur mirënjohje për angazhimin e tij.
"Këto nuk janë interesa të një partie, nuk janë interesa parciale të BDI-së, takimet, kontaktet me vendet fqinje, me ngritjen e temave të rëndësishme për zgjidhje, nuk i takojnë vetëm një subjekti apo grupi, por i takojnë të gjitha subjekteve, institucioneve si në Maqedoni ashtu edhe më gjerë. Unë me zotin Gruevski për këto aktivitete nuk kam ndonjë dallim, edhe nga vetë ai është vlerësuar si një ndihmesë për vetë Maqedoninë", deklaroi Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.
Ahmeti në këtë vizitë shoqërohet edhe nga zv/kryeministri për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit Musa Xhaferri. Ndërkaq, përveç takimeve me autoritet e larta shtetërore mbajti një fjalim në Institutin për diplomaci me temën '100 vjet nga luftërat ballkanike, pajtim dhe integrim'.
Vizita e kreut të BDI-së Ahmeti në Sofje pritet të zbusë sado pak marrëdhëniet mes dy vendeve fqinje, të cilat u ashpërsuan sidomos pas Samitit të dhjetorit të BE-së, kur Bullgaria pengoi dhënien e datës së negociatave Maqedonisë, duka e akuzuar atë se po zhvillon fushatë anti-bullgare dhe se nuk ka përmbushur obligimet në kuadër të fqinjësisë së mirë.
Nga Sofja për televizionin Alsat, Semra Jakupi.