TIRANE - Mobilimi i vilës nr 4 Presidenciale është "dhurata" më e fundit që kryeministri në ikje Sali Berisha ka menduar të bëjë për kreun e shtetit Bujar Nishani.
Pas disa fondesh të akorduar më parë me qëllim rikonstruksionin, ky i fundit është rreth 27 milionë lekë, duke e çuar kështu shumën totale që kryeministri Berisha ka akorduar deri tani për vilën nr 4 në 127.4 milion lekë, shumë kjo jo e vogël.
Nëpërmjet një vendimi që mban datën 1 korrik 2013, Berisha i ka akorduar Nishanit një fond prej 27 milionë lekësh për mobilimin e plotë të vilës së tij.
Vendimi me nr 499: "Për një shtesë fondi në buxhetin vitit 2013 miratuar për Drejtorinë e Shërbimeve Qeveritare për mobilimin e vilës nr.4 Tiranë" është botuar menjëherë në Fletoren Zyrtare, ç'ka do të thotë se ka hyrë në fuqi menjëherë.
Sipas vendimit paratë për mobilimin e vilës do të jepen nga fondi i kontigjencës parashikuar në buxhetin e vitit 2013 dhe Ministria e Financave dhe Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare angazhohen për zbatimin e këtij vendimi.
Ky është fondi i tretë që akordohet për këtë ndërtesë pasi shuma e parë e cila shërbeu për rikonstruksionin e plotë të vilës nr 4 mbante shumën prej 51.6 milion lekësh me pas ajo u vijua më një shtesë tjetër fondi prej 48.8 milion lekësh .