Mijëra të afërm dhe miq ri-varrosën sot mbetjet e më shumë se 400 viktimave të identifikuara të gjenocidit në Srebrenicë. Ceremonia e ri-varrimit është pjesë e homazheve për shënimin e 18 vjetorit të sulmit famëkeq të ushtrisë së serbëve të Bosnjës, nën komandën e Ratko Mladiqit e cila hyri në enklavën myslimane në Bosnjën lindore dhe vrau rreth 8 000 burra e djem myslimanë.
"Më thirrën, duke më thënë se kanë gjetur disa eshtra që ishin të bijve të mi. Më pyetën se a dua t'i varrosë. Iu konfirmova, se derisa të jem gjallë, dua të bëj ende diçka për fëmijët e mi", u shpreh Ramiza, nënë e dy viktimave.
"Nga njëra anë, është më lehtë kur e dimë se ku janë, dhe kemi një vend për t'i vizituar, por nga ana tjetër, këto momente janë shumë të vështira. Megjithatë, zemra duhet të mbetet e fortë dhe duhet të durojmë deri në fund", tha Sanella, motra e një viktime.
Mbetjet e 5657 viktimave, të identifikuara me anë të testeve të ADN-së, tashmë janë ri-varrosur në Qendrën Përkujtimore në Potoçari. Procesi i identifikimit të tyre kishte zgjatur thuajse 10 vjet. Viktima më e moshuar e gjetur deri më tani ishte 94 vjeçare, kurse më e reja, një foshnja e sapo lindur. Lufta nisi në 1992 dhe zgjati deri në 1995, me nënshkrimin e Marrëveshjes së Dejtonit. Ajo e ndau vendin në Federatën Myslimane-Kroate dhe Republikën Sërpska. Përgjegjësi kryesor i kësaj lufte Ratko Mladiq gjendet në burgun e Hagës me akuzën për gjenocid. Ish presidenti Tadiq e pati pranuar gjenocidin, por më vonë, Nikoliqi tha se nuk bëhet fjalë për gjenocid por vrasje të rëndomta. Petar Bllazhevski