Dy të akuzuarit për rastin Mostra Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviq janë dënuar me burg në Kosovë. Gjykata në Prishtinë ka shqiptuar dënim me 2 vite burg për Demirin dhe 2 vite e 6 muaj për Ismailoviq për armëmbajtje pa leje. Gjatë arrestimit të Demirit dhe Ismailoviqit në Prishtinë në mars të këtij viti, u gjet një sasi e konsideruar armësh pa leje posedimi. Demiri ka marrë dënim më të butë për shkak se ka pranuar veprën, përderisa Ismailoviq është mbrojtur në heshtje. Për dy të dënuarit kishte filluar procedurë për ekstradim në Maqedoni, ku akuzohen për vrasjen e pesëfishtë pranë Liqenit të Smillkovës. Por pas aktgjykimit në Kosovë, ata do të mbeten për të vuajtur dënimin në burgun e Prishtinës, që nënkuptons e nuk do të ekstradohen në Maqedoni. Ministrja e Punëve të Brendshme Gordana Jankullovska ka shprehur keqardhje për pamundësinë e ekstradimit të dy të akuzuarve dhe përfshirjen e tyre në procesin gjyqësor Monstra.
"Duhet të shpreh keqardhje për vendimin që këta persona të mos sillen në Maqedoni, nëse ekziston një vendim i tillë, sepse ne me të gjitha forcat po mundohemi që ti sjellim këta persona, të gjykohen dhe të nxirren para drejtësisë", tha Gordana Jankullovska.
Ndërsa në Shkup sot është mbajtur seanca tjetër gjyqësore për vrasjen e pesëfishtë tek liqeni i Smillkovës. Në gjykatë u prezantuan ekspertizat e gëzhojave të gjetura në vendin e ngjarjes.
Pala mbrojtëse vazhdon të këmbëngul për mungesën e dëshmive. Avokati i të akuzuarve Naser Raufi thotë se mungojnë provat që dëshmojnë fajësinë e të akuzuarve.
"Kinse gëzhoja e një prej plumbave që është gjetur në Smillkovë përshtatet me një që është gjetur para pothuajse 5 vite. Por sipas metodës që kanë përdorur këto ekspertë, unë mendoj që ajo analizë nuk mund të bëhet, sepse nuk ka aparaturë MPB-ja dhe e dyta, për të bërë ai lloj ekspertize duhet të gjendet arma. Në të dy rastet mungon arma. Sipas provave deri tani, unë nuk shoh asnjë provë që mundësojnë që akuzuarit të dënohen për këtë rast. Unë jam i sigurt se mungojnë provat sepse thjeshtë të akuzuarit nuk e kanë bërë këtë delikt", deklaroi Naser Raufi, avokat mbrojtës.
Procesi gjyqësor kundër të akuzuarve për rastin Monstra do të vazhdojë më 6 gusht të këtij viti, për kur janë paralajmëruar 2 dëshmitarë, një i mbrojtjes dhe një i prokurorisë. Benjamin Arifi