Tiranë - Universiteti i Mjekësisë, i pagëzuar me këtë emër prej 5 muajsh, ka finalizuar një marrëveshje me Katarin për një sektor eksperimental modern që i duhet kirurgjisë.
Prej rreth një viti i zgjedhur në krye të Universitetit të Mjekësisë, dekani Bajram Hysa tregon projektet e arritura, të cilat sipas tij kanë krijuar të kushtet bashkëkohore. Në një intervistë për A1 REPORT!, zoti Hysa tregon se në mjediset e Universitetit, janë bërë një sërë ndryshimesh, si sekretaria dixhitale, bibliotekë në shërbim të studentëve si dhe laboratorë modern.
Dekani Bajram Hysa thotë se i ka kushtuar vëmendje projekteve në fushën e shkencës dhe shumë projekteve të tjera.
"Këto projekte natyrisht janë të lidhura dhe me një vazhdimësi të tyre të filluara që nga dekanati i mëparshëm, duke filluar nga projekti i Versajës, Projekti i Novarës, të cilat natyrisht ky dekanat me mandatin tim i ka çuar përpara dhe janë specializuar disa specializantë në Novarë të Italisë.
Mjaft të tjerë në kuadër të projekteve ERA WEB dhe në projekte të tjera, mund të themi që janë gati 30 studentë ndër ekselentët tanë të krahasueshëm me homologët e tyre në vende të ndryshme të Europës. Natyrisht kjo është një nxitje e punës shkencore që ka bërë dekanati i fakultetit të mjekësisë", thotë Hysa.