TIRANË -- Kryeministri i ardhshëm i Shqipërisë, Edi Rama, ka dhënë një intervistë për BBC në Londër, gjatë vizitës që kreu ai atje për të takuar ish-kryeministrin Tony Blair. Gjatë intervistës së tij në emisionin "Hardtalk", Rama u pyet në veçanti për gjykimin e vrasjeve të 21 janarit dhe korrupsionin në Shqipëri.
Ai tha se për 21 janarin shpreson një gjykim të drejtë dhe jo farsë dhe sa për korrupsionin, ka vende që kanë dhënë shembuj se ai mund të luftohet me politika të caktuara. Ndër këto shembuj, është edhe drejtimi 11 vjeçar i bashkisë së Tiranës nga Rama, që ka treguar sesi mund të qeveriset pa korrupsion.
FTESES PER PUNESIM NE QEVERINE E RE IU PERGJIGJEN MBI 10 MIJE VETE
"Intervista e vështirë" e kryesocialistit nisi me ftesën që ai i ka bërë, të talentuarve në të gjitha fushat, për të punuar pranë qeverisë së re. A pati interes për këtë ftesë? Rama tha: ""Pas zgjedhjeve shumë njerëz të rinj, të cilët janë të talentuar, kanë aplikuar për vende pune pranë nesh dhe deri në këto momente kemi rreth 10 mijë aplikantë. Pra, përgjigja që unë kam pasur në këtë ftesë ka qënë shumë e mirë.