Samaras: Nuk ju bllokon Greqia, por BE-ja!

alsatmtv 2015-08-21

Views 0

Një tjetër goditje nga Athina Zyrtare ndaj Gruevskit. Kryeministri grek Andonis Samaras refuzoi propozimin e Gruevskit për takim si dhe nismën e tij për ngritjen e nivelit të bisedimeve, me grupe pune të drejtuara nga vetë kryeministrat. Në letrën e Samarasit, siç njofton gazeta 'Dnevnik', kryeministri grek shkruan se takimet e tilla nuk janë të nevojshme pasi nuk është Greqia ajo që po bllokon euro integrimin e Maqedonisë, por ai është Bashkimi Europian. Sipas kryeministrit grek, vendimi i BE-së lidhet me mungesën e progresit, si dhe dështimet në përmbushjen e kritereve të duhura për anëtarësim në BE. Qeveria sot heshti lidhur me këtë përgjigje të Samarasit. I vetmi zyrtar që komentoi ishte zv/kryeministri për çështje evropiane Fatmir Besimi, sipas të cilit pavarësisht përgjigjes së Samarasit, Maqedonia do të mbetet e hapur dhe konstruktive ndaj kapërcimit të sfidave që bllokojnë integrimet euro-atlantike të vendit.

"Mbetemi të hapur dhe konstruktiv në tejkalimin e të gjitha sfidave që të arrijmë të bëhemi anëtare të BE-së. Integrimi i vendit në BE është jo vetëm interes i qytetarëve të Maqedonisë, por edhe i Greqisë dhe vetë BE-së, pasi zgjerimi i BE-së me vendet e Evropës Juglindore është një nga orientimet strategjike të idesë fillestare të BE-së dhe me integrimin e rajonit në BE nënkuptohet që kjo ide duhet të vazhdojë. Me vetë faktin që këtë vit pati lëvizje pozitive, me integrimin e Kroacisë në BE dhe me Marrëveshjen e arritur mes Prishtinës dhe Beogradit kemi lëvizje pozitive dhe optimiste rreth integrimit të rajonit në BE", tha Fatmir Besimi, zv/kryeministër për çështje evropiane.

Nga ana tjetër, LSDM-ja opozitare e ka cilësuar si jo-konstruktive përgjigjen e Athinës Zyrtare. Në reagimin me shkrim të kësaj partie theksohej se: "lidhur me qasjen jo parimore të palës greke dhe keqpërdorimin e pozitës së të qenit anëtare e BE-së dhe NATO-s, në kundërshtim me standardet dhe parimet e Unionit dhe Aleancës, është e domosdoshme të njoftohen bashkësia ndërkombëtare dhe palët e përfshira në gjetjen e zgjidhjes. LSDM-ja, edhe një herë i bën thirrje kreut shtetëror të Maqedonisë që të ftojë në një takim të përbashkët të gjitha subjektet politike relevante në vend; t'i prezantojë informatat se në çfarë faze janë bisedimet dhe t'i njohë ato rreth qëndrimeve të Maqedonisë në kontestin e emrit me Greqinë". Në reagimin me shkrim të partisë më të madhe opozitare gjithashtu thuhet se askush, madje as Greuvski, presidenti Ivanov apo VMRO DPMNE-ja nuk kanë të drejtë autoriale ekskluzive rreth kësaj çështjeje të rëndësishme për vendin. Semra Jakupi

Share This Video


Download

  
Report form