GREQI - Marjan Kola, personi më i kërkuar nga policia greke ka mbetur i vrarë gjatë një përleshjeje me trupat speciale, në zonën e Shulit, midis Janinës dhe Igumenicës, orët e para të mëngjesit të sotëm (e diel 21 korrik).
Forcat policore po vazhdojnë kërkimet për shokun e Kolës, Ilir Kupit, i cili mendohet se është plagosur dhe ndodhet diku jo shumë larg fshatit Vrosina ku ndodhi përleshja.
Trupi i të vrarit mbeti në vendgjarje për orë të tëra, në pritje të mbërritjes së mjekut ligjor.
Sipas njoftimeve të para, përveç një kallashnikovi, Marjan Kola kishte në xhep një granatë, ndërsa iu gjet edhe një çantë shpine, brenda të cilës kishte krehëra me fishekë, granata, një pistoletë, por edhe ushqime të gatuara.
Pamja e tij e jashtme ka çuar policinë në konkluzionin se dy të arratisurit nga burgu i Trikalas nuk fshiheshin në pyje ditët e fundit, por ishin strehuar në ndonjë banesë. Një gjë e tillë hedh poshtë të gjitha skenaret për strehimin e tyre nëpër stane, male e gërxhe.
Forcat policore i diktuan ata pas orës 04:30 të mëngjesit të sotëm, të ecnin me këmbë në rrjedhën e lumit Kalamos, relativisht larg kufirit me Shqipërinë.
Për të diktuar të arratisurit janë përdoruar kamerat termike. Ndërmjet policisë dhe dy shqiptarëve është bërë një përleshje e vërtetë, ndërkohë që burime të pakonfirmuara nga portali epirusgate.gr bëjnë të ditur se dy variantet për vrasjen e Kolës janë nga breshëria e plumbave të lëshuara me armë automatike ndaj tij, ndërsa varianti i dytë bën fjalë për vrasje me qitje nga larg me Snajper.
Nesër pritet qe të kryhet ekspertiza mjeko-ligjore në spitalin e Janinës, ku edhe do të jepen konkluzionet përfundimtare.