Kuvend, debat mbikëqyrës për IPA fondet, mungojnë Arifi dhe Naumovski

alsatmtv 2015-08-21

Views 1

Mungesa e ish nënkryetarëve të qeverisë Teuta Arifit dhe Vasko Naumovskit në debatin mbikëqyrës të organizuar nga Komisioni për çështje evropiane, ka shkaktuar përplasje mes VMRO-së dhe LSDM-së. Opozitarët, në shenjë revolte nuk i parashtruan pyetje të ftuarve në debat, në cilësinë e dëshmitarëve. Ndërkohë nga VMRO-ja kërkuan që deputetët të jenë më konstruktiv dhe të respektojnë vullnetin e dëshmitarëve që i ishin përgjigjur ftesës për pjesëmarrje në debat.

"Vendim ynë është se ne, në këtë vazhdim të pjesës së dytë të debatit mbikëqyrës nuk do të marrim pjesë. Në fakt nuk do t'i pyesim dëshmitarët. Arsyeja është e thjeshtë, sot kemi një problem edhe më të madh. Nga 7 apo 8 dëshmitarët e ftuar kanë ardhur vetëm 3 që pa mos dashur t'i ofendojë dëshmitarët që kanë ardhur, mungesa e të tjerëve e zhvlerëson debatin mbikëqyrës. Më duhet të theksoj se Teuta Arifi për herë të dytë nuk vjen, Vasko Naumovski ish kryeministër për të dytën herë nuk vjen", tha Gordan Georgiev, LSDM.

"Në interes të opinionit më duhet të them se është precedent, nënçmimi që iu bëhet njerëzve që e respektojnë këtë institucion, Kuvendin e RM-së dhe të cilët janë këtu, kanë ardhur në debatin mbikëqyrë... dhe mendoj se debati mbikëqyrës duhet të vijojë", u shpreh Silvana Boneva, VMRO-DPMNE.

Pas kësaj ndërhyrjeje procedurale, ishte Dëshira Imeri ajo që pyeti kryetarin e institutit për Strategji ekonomike dhe marrëdhënie ndërkombëtare, Rizvan Sulejmani, rreth fondeve "Ipa".

"Të gjithë e dimë peshën dhe rendësin e fondeve "IPA". Mua më intereson organizata juaj, çfarë lloj analizash ka bërë deri tani në lidhje me fondet "IPA", dhe në qoftë se ju keni bërë analiza të tilla, cili është vështrimi juaj lidhur me situatën e përgjithshme të ndërlidhur me këtë pyetje", pyeti Dëshira Imeri, BDI.

"Studimi është bërë në nivel rajonal dhe jo vetëm në Maqedoni. Si Kroacia, Serbia, Mali i Zi, dhe studimi tregon se mbi të gjitha për fat të keq shfrytëzimi i këtyre fondeve në gjitha këto vende është në nivel të ulët dhe sillet nga 17 % deri në 19 %. Diku më mirë qëndron vetëm Serbia me rreth 23 %", tha Rizvan Sulejman, kryetar i Institutit për Strategji ekonomike dhe marrëdhënie ndërkombëtare.

Sipas Sulejmanit, përqindja tepër e ulët e shfrytëzimit të fondeve "IPA" vjen si rezultat i një burokracie të tepërt gjatë aplikimit dhe realizimit të tyre. Ky ishte debati i dytë në vazhdën e takimeve mbikëqyrëse që organizohen nga Kuvendi. Bedri Rexhallari

Share This Video


Download

  
Report form