Java e parë e muajit gusht do të jetë përvëluese, pasi temperaturat nuk do të bien nën 40 gradë celsius. Sipas meteorologëve, situata nuk është aq e favorshme sa duket, pasi për të moshuarit dhe kryesisht fëmijët, një mot kaq i nxehtë përbën rrezik për ta. Nga Enti Hidrometeorologjik thonë se kjo situatë i përket fazës së verdhë ku temperaturat maksimale i kalojnë tek tuk, 40 gradët. Madje, temperatura të njëjta do të qëndrojnë të tilla të paktën edhe për 10-ditëshin e parë të gushtit. Në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, temperaturat janë 10 gradë më të larta, pasi vera këtë vit erdhi me vonesë por më e nxehtë.
"Sot do të mbizotërojë mot shumë i nxehtë. Mbrëmë temperaturat arritën deri në 40 gradë kurse sot do të arrijnë deri në 41 gradë celsius. Gjatë orëve të pasdites do të ketë vranësira por ajo freskia e madhe që përfshiu mbrëmë Slloveninë, Kroacinë dhe në këto momente, pjesët veriore të Serbisë, nuk do të kalojë mbi ne. Gjatë ditës së nesërme ka një ulje të lehtë; temperaturat e mëngjesit do të jenë nën 20 gradë për dallim nga sot kur kishim temperatura mëngjesi mbi 20 gradë. Gjatë ditëve të ardhshme, temperaturat do të shënojnë rritje, dhe për disa ditë ato do të qëndrojnë mbi 40 gradë celsius", tha Boris Sekirarski, meteorolog.
Ndërkohë ekipi i televizionit ALSAT-M vizitoi pothuajse të gjitha objektet që janë në ndërtim e sipër në Shkup, për të inspektuar nga afër nëse aty respektohen rekomandimet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe asaj për Punë dhe Politikë Sociale që, personat që punojnë në qiell të hapur t'iu shmangen aktiviteteve nga ora 11 deri në orën 17.
Edhe përkundër rekomandimit të Ministrisë së Shëndetësisë që gjatë ditës së sotme punëdhënësit në këto ditë të nxehta verore të riorganizojnë orarin e punës për punëtorët e ndërtimtarisë dhe për personat që punojnë në qiell të hapur, të tillë mund të vëreheshin gjithandej nëpër pothuajse të gjitha objektet në ndërtim e sipër në Shkup.
Rekomandimet e mjekëve janë të njëjtat; mos qëndroni në diell kryesisht në orët e pikut të ditës, konsumoni fruta e perime, e mbi të gjitha lëngje. Ndërkohë, kopshteve iu rekomandohet të mos i nxjerrin fëmijët jashtë në periudhën nga ora 11 deri në orën 16. Valmir Kuçi