Për pesë ditë skadon afati kur Komisioni Hetimor duhej të shprehej me raport rreth ngjarjeve të 24 dhjetorit. Në bazë të rregullores me të cilën u ngrit ky organ, komisioni hetimor obligohej të dilte me raport, brenda afatit 60 ditor. Megjithatë respektimi i këtij afati nga ana e Komisionit i cili filloi me punë më 11 qershor, për momentin duket i pamundur pasi palët ende nuk kanë hequr dorë nga qëndrimet e tyre të hekurta për të zhbllokuar punën e tij. Nga LSDM-ja edhe një herë u shprehën të prerë se Komisioni nuk mund të vazhdojë punën pa një kryetar. Megjithatë nga opozita u shprehën të gatshëm për bisedime me VMRO-në për të arritur zgjidhje.
"Funksionarët partiak të LSDM-së janë të gatshëm për bisedime në çdo moment me përfaqësuesit e pushtetit për çështje të rëndësishme që janë prioritare për Maqedoninë. Më e rëndësishmja, Lidhja socialdemokrate ka përmbushur në tërësi obligimet e saj për sa i përket marrëveshjes së 1 marsit. Presim që edhe VMRO DPMNE-ja në vend të fjalëve dhe kritikave boshe, përfundimisht të tregojë vepra se është e investuar për zbardhjen e ngjarjeve të 24 dhjetorit", thuhet në qëndrimin me shkrim të LSDM-së.
Nga ana tjetër VMRO DPMNE-ja akoma mbetet në qëndrimin e mëparshëm. Sipas tyre Komisioni duhet të vazhdojë punën edhe pa kryetar pasi kjo çështje nuk ka të bëj me qëllime personale politike por me interesat shtetërore. Sipas VMRO-së komisionit i mjaftojnë anëtarët e dy partive politike të përfshira në këtë proces, ashti siç dikton edhe marrëveshja mes kryetarit Nikolla Gruevski dhe kreut opozitar Zoran Zaev. Nga ana tjetër edhe nga Kabineti i Presidentit Ivanov, i cili bart përgjegjësinë juridike për punën e Komisionit nuk bëjnë të ditur nëse ka ndërmarrë ndonjë aktivitetet për të rigjallëruar punën e Komisionit. Mbetet ende e paqartë gjithashtu nëse Komisioni e ka realizuar punën tashmë dhe pritet vetëm firmosja e tij nga palët. Sidoqoftë sytë e Brukselit janë të kthyer nga Shkupi në prag të publikimit të raportit të progresit të Komisionit Evropian. Zyrtarë të lartë të Unionit u shprehën të qartë se rezultatet dhe raporti i punës së Komisionit hetimor do të përfshihen në raportin e progresit. Ai nënkupton plotësimin e Marrëveshjes politike të 1 marsit nga e cila do të varet raporti. Shumë analistë spekulojnë se nëse Shkupi zyrtar vazhdon me këtë ritëm negativ të mungesës së stabilitetit të brendshëm politik, dhe nga ana tjetër të mos zgjidhjes së çështjes së emrit atëherë Maqedonia mund të humb edhe rekomandimin për të filluar bisedimet me BE-në. Semra Jakupi