Ekipet në terren -- e pastrojnë kaosin që la pas veti stuhia e djeshme në Shkup e rrethinë. Kështu po largohen degët dhe pemët e rëna, po vlerësohen dëmet, pasi nga disa ndërtesa ranë fasadat, e diku fluturonin kulmet. Komunat e Shkupit iu bëjnë apel qytetarëve se nëse vërejnë defekte në ndriçimin rrugor ose degë të thyera dhe pemë, të shkaktuara nga stuhia e djeshme, ti lajmërojnë tek autoritetet kompetente.
"Gjatë ditës së djeshme, menjëherë në terren dolën inspektimet për të konstatuar rënien e fasadës në rrugën "Divizioni 50-të". I është dhënë urdhër kryetarit të Këshillit të ndërtesës që ta rrethojë hapësirën për shkak se ishte rrezik për këmbësorët, që të hiqen pjesët kondicionerëve për shkak se qëndronin të varur dhe mund lëndojnë dikë", tha Mirosllav Shipoviq, komuna Qendër.
"Realisht përveç një intervenimi që kemi bërë ne si komunë në lagjen e Dizhonit, ku ka pasur nevojë për një intervenim, në lagjet e tjera nuk kemi informacione se ka pasur dëme materiale. Gjithashtu dua të cek edhe atë se në të kaluarën në lagjen e Teneqe Mahallës cdoherë kemi pasur problem me vërshimet, por duke pasur parasysh se vitin e kaluar kanë përfunduar investimet për rrjetin atmosferik të kanalizimit në këtë lagje, këtë vit edhe pse patëm një reshje shumë të madhe të shirave, edhe në atë lagje 10 minuta pas ndërprerjes së reshjeve çdo gjë ka qenë në rregull", deklaroi Rami Qerimi, kryetari i shtabit, komuna Çair.
Nga Enti Hidrometeorologjik njoftojnë se do të ketë ndryshime të temperaturave dhe në disa vise do të ketë reshje të shiut.
"Sot do të ketë dukuri të vranësirave jostabile me reshje lokale të shiut dhe bubullimë, por me një intensitet më të dobët në krahasim me dje. Edhe nesër do të jetë vetëm dukuri të izoluar të vranësirave jostabile, përkatësisht vetëm reshje lokale të shiut dhe bubullima të rralla. Të martën dhe të mërkurën, mori do të jetë me vranësira të vogla dhe i ngrohtë, i qëndrueshëm dhe pa reshje. Destabilizimi i ri i motit pritet të enjten dhe gjatë dy ditëve të ardhshme, kur pritet moti në orët e pasdites me shi dhe bubullimë", tha Slavica Vuçkova, DPH.
Javën e ardhshme nuk pritet mot me stuhi sikurse dje, thonë sinoptikanët. Natasha Stojanovska