Për herë të parë përvjetori i vrasjes së heroit Hasan Prishtina do të shënohet në qytetin ku u ekzekutua, në Selanik të Greqisë. Për të organizuar këtë manifestim në Selanik, Shoqata e Historianëve ka marrë leje nga zyra greke për lidhje. Ndërsa 80 vjetori i rënies së Hasan Prishtinës u shënua edhe në Shkup, me vendosjen e luleve para përmendores së tij. Ministra e funksionarë shqiptarë bashkë me ambasadorin e Kosovës në Shkup, Shoqatën e Historianëve të Maqedonisë dhe pasardhësin e Hasan Prishtinës, Mehmet Prishtina, nderuan veprën e heroit kombëtar.
"Për mua kjo është një datë e veçantë historike. Vitin e kaluar ne shënuam 100 vjetorin e çlirimit të Shkupit, kurse tash po pasojnë festimet dhe është një ndjenë e veçantë që e konstatojmë se Hasan Prishtina është një sinonim i identifikimit të shqiptarëve në Shkup dhe kudo që janë. Përjetësimi i figurës së tij këtu mu në mes të Shkupit është i një rëndësie të veçantë" tha Mehmet Prishtina, pasardhës i Hasan Prishtinës
"Sot është një ditë e shënuar, një jubile që flet shumë për gjithë shqiptarët por edhe për kosovarët. Jemi këtu ta nderojmë një njeri që kosovarët e konsiderojnë heroin e tyre, një njeri i cili në një periudhë të rëndësishme ishte aty që me vizionin e tij u tregoi një rrugë që ne e kemi aspiruar gati një shekull. Por jo vetëm për ne, është një figurë që edhe për këtë vend ka dhënë shëmbëlltyrën e bashkëpunimit dhe duke konceptuar lirinë si diçka që vlen për të gjithë" pohoi Ylber Hysa, ambasador i Kosovës
Hasan Prishtina u vra pabesisht në Selanik më 12 gusht të vitit 1933 nga 38 vjeçari Ibrahim Çelo për motive politike. U varros në Selanik, ndërsa më 6 dhjetor 1977 u rivarros në qytetin e Kukësit, në Shqipëri. Benjamin Arifi