VLORË -- Kryebashkiaku u Vlorës, Shpëtim Gjika ka premtuar sot jo vetëm prishje të ndërtimeve pa leje në vijën bregdetare të Vlorës, por edhe të atyre me leje, që bien ndesh me planin turistik.
Këtë ai e ka bërë gjatë prishjes së rreth 20 objekteve, të cilat u rrafshuan mëngjesin e sotëm nga policia bashkiake së bashku me inspektoriatin ndërtimor pranë bashkisë së Vlorës në zonën e Plazhit të Vjetër. Aksioni ka nisur nën drejtimin e vetë kryetarit të bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, i cili ka ndjekur të gjithë aksionin nga fillimi në fund të saj.
"Jemi pak me vonesë, se kemi dashur mos e inicionim aksionin gjatë sezonit turistik. Por do vazhdojmë gjatë gjithë vijës bregdetare. Do të shohim edhe ndërtimet me leje, që bien ndesh me planin turistik", premtoi kryebashkiaku i Vlorës.