Kryeministri Nikolla Gruevski u shpreh i gatshëm të realizoj kërkesat e LSDM për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. Sipas tij nuk është problem kodi zgjedhor e as lista zgjedhore por fakti që ata nuk dëshirojnë zgjedhje andaj edhe vazhdimisht gjejnë arsye të ndryshme. Gruevski pyeti pse lista zgjedhore nuk ishte problem në zgjedhjet lokale kur edhe fitoi mandatin lideri i LSDM Zoran Zaev.
"Para 3 muajve zotëri Zaev fitoi me atë listë zgjedhore në Strumicë çfarë të pastrojmë tani për 2 muaj, s'ka problem do ta pastrojmë listën por poentën e kam se e pamë se sa LSDM dëshiron zgjedhje. Do të bëjmë gjithçka që duan edhe ndryshime në kodin zgjedhor dhe sërish do të gjejnë ndonjë arsye që të ikin. Sigurisht se gjithçka që do të ofrohet dhe ajo që është rekomandim i OSBE do të pranohet por kjo nuk është kyçe për zgjedhjet... E dini që ne nga viti 2006 deri tash në mënyrë drastike e ndryshuam kodin zgjedhor edhe atë 4 herë ndërsa në vitin 2006 aspak nuk ishte ligji aq i keq, ne atëherë fituam në zgjedhje si opozitë pra nuk është deri te kodi zgjedhor, akoma nuk kemi ligj me të cilin LSDM duhet të fitoj me çdo çmim edhe nëse populli nuk e dëshiron atë", deklaroi Nikolla Gruevski, kryeministër.
Sa përket realizimit të raportit të Komisionit hetimor në veçanti në pjesën e rekomandimeve të cilat janë miratuar njëzëri, Gruevski tha se mund të ketë probleme nëse atë e dëshiron LSDM.
"Në atë pjesë të raportit ku janë rekomandimet nuk kishte dallime në komision, njëzëri janë pranuar pa asnjë problem. Nga ai aspekt unë nuk pres të ketë problem megjithatë kur bëhet fjalë për LSDM-në gjithçka është e mundur. Mundet nga asnjë problem të bëjnë problem nëse duan. Shpresoj që do të jenë parimor në atë që e thanë në komision përfaqësuesit e tyre", u shpreh Nikolla Gruevski, kryeministër.
Grupi punues i angazhuar për implementimin e raportit të Komisionit hetimor pritet të mblidhet të hënën për të caktuar modalitete e punës. Gjyltene Rexhallari