Do të hapet apo jo çështja e përbormit zyrtar të gjuhës shqipe edhe gjatë punës së grupit punues mbetet enigmë. Nënkryetarja e kuvendit nga radhët e BDI-së Suzana Salihu shprehet se është momenti më i volitshëm që kjo çështje të hapet gjatë punesë së grupit punues dhe me pak vullnet politike ti hapet rruga që ajo të mund seancat plenare ti udhëheq edhe në gjuhën shqipe. Ndryshe në bazë të ligjit ekzistues, deputetët kanë të drejtën të drejtohen në gjuhën shqipe, këtë të drejtë me ndryshimet fundit e gëzojnë edhe kryesuesit e komisioneve dhe ministrat shqiptarë, por jo edhe nënkryetarja e kuvendit. Njëherit kjo është edhe arsyeja që Suzana Salihu ndonëse e emëruar në këtë post që nga fillimi i kësaj përbërje parlamentare, ajo asnjëherë nuk ka udhëhequr me seancat plenare.
"Përdorimi i gjuhës shqipe në udhëheqjen e seancave plenare të parlamentit mbetet një çështje e hapur dhe është një çështje që nuk përjashtohet që të jetë pjesë debatit edhe në punën e Komisionit për implementimin e rekomandimeve të raportit për ngjarjet e 24 dhjetorit. Në raportin e 24 dhjetorit në kapitullin e 4 shtrohet nevoja për definimin e çështjes së udhëheqjes të seancave plenare në rregullore dhe unë mendoj se ky moment duhet të shfrytëzohet, aq më tepër që komisioni për implementimin e rekomandimeve të raportit do të punoj me konsensus dhe vetëm me konsensus dhe pa përjashtim", tha Suzana Salihu, nënkryetare e Kuvendit.
Salihu shprehet se për zgjidhjen e këtij problemi ekziston bazë kushtetuese por mungon vullneti politik.
"Mendoj se ka bazë kushtetuese, ka bazë ligjore për përdorimin e gjuhës shqipe në udhëheqjen e seancave plenare, por nevojitet vetëm një pikë vullnet politik e elitave politike maqedonase. Në përgjithësi nuk ka vullnet politik nga elitat politike maqedonase për përdorimin e gjuhës shqipe në udhëheqjen e seancave plenare", deklaroi Suzana Salihu, nënkryetare e Kuvendit
Ndryshe kohë më parë PDSH-ja është kërcënuar se poqese seanca plenare do të udhëhiqet nga nënkryetar i parlamentit dhe me këtë rast nuk do të jetë Suzana Salihu, grupi parlamentar i PDSH-së do ët bllokoj foltoren e kuvendit. Nga ky moment me seanca nuk kanë udhëhequr as dy nënkryetarët tjerë si Jani Makraduli dhe Svetllana Jakimovska. Bedri Rexhallari