Agjencia për Rini dhe Sport më në fund u prononcua lidhur me ndeshjen sportive të organizuar pikërisht nga ky dikaster me rastin e shënimit të 22 vjetorit të shtetësisë së Maqedonisë e cila ishte vlerësuar si skandal pasi në ekipin e politikanëve u paraqit edhe krimineli i luftës i gjykuar nga Tribunali i Hagës, Johan Tarçullovski. Drejtori i Agjencisë për Rini dhe Sport, Aleksandar Pujovski tha se ndeshja sportive mes politikanëve, gazetarëve dhe ish legjendave të futbollit nuk kishte ndonjë prapavijë dhe se ajo ishte organizuar me qëllim dëshmimin e unitetit në vend.
"Një ndeshje sportive e tipit të tillë nuk bëhet në bazë të ndonjë kriteri por që të shënohet 8 shtatori nëpërmjet sportit. Ne lëshuam mesazhe për bashkim, vetë kjo flet aq sa duhet për aktin e bërë që më pyetët. Sporti duhet të krijojë unitet dhe jo të bëjë të kundërtën. Unë nuk do të hyja në detaje d.m.th këtu nuk patëm protokoll të caktuar, pasi ai eveniment ishte ndeshje sportive me karakter esnaf, dhe përsërisë sporti bashkon dhe nuk përçanë", tha Aleksandar Pujovski, drejtor i Agjencisë për Rini dhe Sport.
Por, Pujovski nuk kishte përgjigje për braktisjen e ndeshjesh në shenjë revolte nga zv/kryeministri, Fatmir Besimi dhe zv/ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Xhelal. Ata ditë më parë deklaruan se as që ishin në dijeni se në ekipin e politikanëve do të angazhohej edhe Tarçulovski. Ata kanë braktisur fushën në momentin kur panë se në radhët e tyre është angazhuar i dënuari nga Tribunali i Hagës për masakrën e Lubotenit. Dy zyrtarët shqiptar të qeverisë kishin refuzuar edhe pjesëmarrjen ë një koktej të organizuar pas ndeshjes. Ndryshe, në këtë ndeshje gjithashtu nuk kishte të pranishëm asnjë gazetar shqiptar. Pujovski thotë se ftesa kanë shpërndarë por se nuk e dinë arsyen e mospjesëmarrjes së tyre.
"U ftuan të gjitha mediat, tani si tu them, pse nuk morën pjesë të gjitha unë nuk e dijë, por kjo është kjo, u ftuan të gjithë", u shpreh Aleksandar Pujovski, drejtor i Agjencisë për Rini dhe Sport.
Por, mediat që kontaktuam pohuan të kundërtën asnjë prej tyre nuk ka marrë ftesë për këtë ndeshje revyale. Valmir Kuçi