Kandidatët për mësues, 60% janë mbetës në provimin e shtetit

Report TV 2015-08-21

Views 9

TIRANE - Mësuesit e rinj që do të japin mësim në shkollat tona janë shumë të dobët. Pjesa më e madhe e tyre nuk zotërojnë as nivelin minimal të njohurive, që pretendojnë t'u mësojnë nxënësve. Këtë e ka zbuluar edhe rezultatet e provimit të shtetit të sezonit të korrikut, ku në mjaft prej lëndëve të testuara, mësuesit e rinj kanë rezultuar ngelës në masë. Kështu, në lëndën e Matematikë-Fizikë kanë rezultuar 86% ngelës; në Matematikë-Informatikë 82% e mësuesve të testuar kanë rezultuar ngelës; në Fizika kanë rezultuar ngelës 60%; në Kimi 65%; në Histori 63%; ndërsa Gjuha Shqipe ka pasur rezultatin më të lartë me vetëm 26% ngelës dhe Anglishtja po ashtu me vetëm 30% ngelës.

Ndërsa mësuesit e arsimit fillor kanë rezultuar shumë problematikë, pasi janë vlerësuar me notën katër 75% e kandidatëve për mësues të testuar. Në total në këtë sezon iu nënshtruan testit plot 600 të rinj të diplomuar për mësuesi që duan të fusin emrin në listën e kandidatëve për mësues. Sipas AKP-së, që kryen edhe provimin e shtetit, në testin e Gjuhës Shqipe u regjistruan 117 kandidatë, në provim u paraqitën 102 mësues, prej të cilëve 25 mbetën.

Ju nënshtruan provimit të diplomuarit në Histori-Gjeografi dhe Edukatë, rezultuan 59 dhe 35 të regjistruar, përkatësisht 46 dhe 26 të paraqitur; ndërkohë 13 dhe 8 mbetën në Gjeografi dhe Histori. Sipas specialistëve të Agjencisë Kombëtare të Provimeve më problematikë janë kandidatët që janë diplomuar në universitetet e rretheve. Shifrat e dala nga testi i provimit të shtetit tregojnë se ky provim, është kthyer tashmë në të vetmin filtër që përzgjedh ata që mund të fitojnë të drejtën për të dhënë mësim në shkollat tona.

Ndërkohë që sipas programit të hartuar nga ekspertët e MASH-it, provimi i shtetit për mësuesit është i përbërë nga dy pjesë: pjesa pedagogjike, që do të zërë rreth 40 për qind të pyetjeve, dhe pjesa profesionale, që do të zërë 60 për qind të pyetjeve. Programi i provimit të shtetit për pjesën pedagogjike është një program orientues, që do të bazohet në kompetencat kryesore që duhet të zotërojë një kandidat për mësues në formimin e tij të përgjithshëm, ndërsa pjesa tjetër do të jetë vetëm për përgatitjen profesionale që mësuesi ka në lëndën përkatëse ku ai është specializuar gjatë studimeve të shkollës së lartë.

Share This Video


Download

  
Report form