Pas 7 ditësh bllokada dhe inate mes dy qeverive, kufijtë mes Maqedonisë dhe Kosovës përsëri u kthyen në normale. Në mesnatën mes 14 dhe 15 shtatorit hynë në fuqi vendimet e qeverive të dy shteteve për tërheqjen e ndalesave të importit dhe taksës për qytetarët dhe automjetet kosovare. Për tu vërtetuar lidhur me zbatimin në praktikë të vendimit qeveritar, në Bllacë qëndruan zv/kryeministri Vlladimir Peshevski dhe ministri i ekonomisë Valon Saraçini. Për shkak se këta dy funksionarë në Bllacë kishin arritur pak para mesnate, u detyruan që ti lënë veturat larg kufirit, dhe në këmbë të kalojnë barrierën e vendosur nga Biljana Muratovska e shoqatës Makamtrans.
Pavarësisht dëmeve në ekonominë vendore, Peshevski u shpreh i kënaqur nga masat qeveritare, pasi siç tha ai, me këtë shteti tregoi kualitet Institucional.
"Me këtë treguam se dimë të japim përgjigje kualitative institucionale për të gjitha sfidat dhe shpresojmë se në të ardhmen nuk do të ndodhin skenarë të tillë të pahijshëm dhe se të gjithë kanë mësuar diçka... Edhe pse ndoshta ditët e kaluara eksportues të caktuar përjetuan dëme të caktuara, megjithatë mendoj se në plan afatgjatë kjo ishte zhvillim i mirë i ngjarjeve për Maqedoninë dhe shpresoj se kompanitë maqedonase do ta kthejnë tërësisht tregun kosovar që në periudhën e kaluar nuk arritën ta realizojnë", tha Vlladimir Peshevevski, zv/kryeministër për çështje ekonomike.
Peshevski i cili ditë më parë i kërkoi duel televiziv ministres së tregtisë së Kosovës, nuk e pa të arsyeshme që në zonën mes dy kufijve të pret Mimoza Kusarin. Peshevski e la të vetëm Saraçinin për ta pritur Mimoza Kusari Lilan në zonën mes dy kufijve. Dy ministrat shprehën kënaqësi për përfundimin e golgotës mes dy vendeve, dhe keqardhje për dëmet dhe pengesat që i përjetuan qytetarët gjatë "luftës" 7 ditëshe tregtare mes dy qeverive.
"Sot në mënyrë simbolike jemi këtu që të tregojmë se nëse ka bashkëpunim dhe vullnet të mirë mes dy shteteve çdo problem mund të tejkalohet. Më vjen keq dhe dëshiroj të kërkoj falje të gjithë qytetarëve të Kosovës, të gjithë shqiptarëve në dy anët e kufirit sepse në momentin kur kishim mosmarrëveshje sado e vogël të jetë, ata pësuan, por pësoi edhe biznesi", u shpreh Valon Saraçini, Ministër i Ekonomisë.
"Ka qenë një javë jo e lehtë, siç e dini kemi qenë në kontakt në vazhdimësi me Qeverinë e Maqedonisë. Dëshiroj të falënderoj të gjithë të përfshirët në këtë proces në kolegjialitet, në komunikim intensiv, edhe pse nuk rezultoi me zgjidhje të shpejtë, por ky është një proces i cili besoj që në të ardhmen do të reflektojë që të mos kemi pengesa ose të mos kemi barriera mes njëri tjetrit. Mund të shprehim shqetësimin tonë se situata është vështirësuar në qarkullimin e lirë të njerëzve, kjo ka qenë çka na ka brengosur si qeveri në masë shumë të madhe, por pasi e gjitha u tejkalua shpresoj të jetë një mësim për të gjithë", deklaroi Mimoza Kusari Lila, Ministre e Tregtisë e Kosovës.
Pasi u prononcuan për mediat, ministrja e tregtisë Mimoz...