Kryeministri i Maqedonisë Nikolla Gruevski i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Kroaci, vendin më të ri anëtar të BE-së, morri garanci nga lidershipi këtu, se do të mbështesin Maqedoninë në strukturat euroatlantike. Kryeministri kroat Zoran Millovanoviq tha pas takimit me Gruevskin se Maqedonia meriton që sa më shpejtë të anëtarësohet në Bashkimin Evropian dhe në NATO.
"Nuk jemi fqinj, por na lidhin shumë çështje për të cilat kemi biseduar dhe do të bisedojmë, sic është ekonomia, të cilën e kemi prioritet, por edhe hyrja e Maqedonisë në NATO dhe BE. Me Maqedoninë, e cila deri tani duhej të ishte anëtare e NATO-s, duhet që sa më shpejtë të hapen bisedimet për anëtarësim në BE. Fatkeqësisht, e dimë ku janë pengesat dhe unë i kuptoj deri diku, por kaloi shumë kohë", deklaroi Zoran Millovanoviq, kryeministër i Kroacisë.
Gruevski tha se po të mos ishte kontesti i emrit, Maqedonia do të bëhej anëtare e NATO-s bashkë me Kroacinë në Samitin e Bukureshtit në vitin 2008, ndërsa bisedimet për anëtarësim, të cilat ende nuk i kemi filluar, duhej të ishin në fazën finale.
"Po të mos ishte kontesti rreth emrit me fqiun tonë jugor, Maqedonia do të bëhej vend anëtare e NATO-s njëkohësisht me Kroacinë, dhe me siguri do të ishim në fund të bisedimeve për anëtarësim në BE. Fatkeqësisht, ky problem na bëri shumë dëme, por zgjidhja e kontestit nuk varet vetëm nga ne, por më së shumti nga ata që e krijuan. Jam mirënjohës për përkrahjen nga kolegu im kroat", tha Nikolla Gruevski, kryeministër i Maqedonisë
Në takimin mes dy kryeministrave është biseduar edhe për mbarëvajtjen e marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve. Sipas Gruevskit, anëtarësimi i Kroacisë në Bashkimin Evropian është në favor të Maqedonisë. Kryeministri Gruevski takoi sot gjithashtu edhe presidentin kroat Ivo Josipoviq dhe kryeparlamentarin Josip Leko.
"Qëllimi i vizitës së Gruevskit në Kroaci është thellimi i bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve dhe sigurimi i mbështetjes kroate për proceset euro-integruese të vendit.
Nga Zagrebi për televizionin Alsat, Benjamin Arifi.