Ministri i Drejtësisë Blerim Bexheti ka thënë se paditë kundër drejtorëve të institucioneve të Qytetit të Shkupit për mosrespektimin e Gjuhës Shqipe janë në procedurë e sipër. Bexheti i është përgjigjur akuzave të Lëvizjes Qytetarë Zgjohu! Për politizim të institucioneve gjyqësore, duke thënë se gjykatat dhe prokuroria punojnë duke u bazuar në ligjin dhe kushtetutën dhe pa ndikime politike. Ai i bëri thirrje kësaj lëvizjeje që të dërgojë parashtresa zyrtare në Prokurori apo në Ministrinë e Drejtësisë për tu njohur me rrjedhën e procesit gjyqësor.
"Gjykatat dhe institucionet gjyqësore është e pamundur që të jenë të politizuara. Rastet në fjalë duhet të shihen dhe palët që kanë inicuar këtë çështje kanë të drejtë që të informohen, nëpërmjet parashtresave dhe këtë i udhëzoj që ta bëjnë, dhe jam i sigurtë që do të kenë përgjigjen e duhur nga institucionet përkatëse"...
- A jeni në dijeni deri ku është kjo çështje?
"Ata kanë të drejtë që të drejtohen me parashtresa edhe tek udhëheqësit e institucioneve ku i kanë parashtruar paditë, edhe te ministria e drejtësisë. Nëse i parashtrojnë parashtresat e tyre, më se e sigurtë se Ministria e Drejtësisë do tu përgjigjet", tha Blerim Bexheti, Ministër i Drejtësisë.
Dje, Lëvizja Qytetare Zgjohu! akuzoi se pikërisht ndikimi politik dhe partiak ndaj gjykatave është shkaku i ngecjes së procedurës rreth padive ndaj drejtorëve të institucioneve të Shkupit, për mos respektimin e gjuhës shqipe. Para disa muajsh, kjo organizatë joqeveritare kishte ngritur padi për drejtorët e NTP Shkup, Ujësjellësit dhe Kanalizimeve dhe Parqeve e gjelbërimeve. Padia e tyre bazohet në nenin 138 të Kodit Penal, i cili parashikon dënim me burg deri në 5 vjet, për personat zyrtar që pengojnë përdorimin e gjuhëve zyrtare dhe shkelin Ligjin për përdorimin e gjuhëve. Benjamin Arifi