Raporti i progresit si dhe epilogu i mundshëm i Samitit të dhjetorit të Këshillit të BE-së, ishte në qendër të takimit të sotëm mes kreut të BDI-së Ahmeti dhe raportuesit për Maqedoninë në Parlamentin evropian, Riçard Houit. Ahmeti me këtë rast ka theksuar nevojën e mobilizimit të të gjitha institucioneve të Bashkimit Evropian dhe koordinimin e veprimeve me SHBA dhe NATO në drejtim të stabilizimit përfundimtar të rajonit dhe integrimin e tij të plotë në NATO dhe BE.
"Ky përcaktim strategjik mund të arrihet vetëm nëpërmjet arritjes së kompromisit me fqinjin tonë jugor, Greqinë dhe zgjidhjen e çështjes së hapur të emrit. Ndaj, kryetari Ahmeti kërkon përfshirje të drejtpërdrejt të Brukselit në procesin e arritjes së zgjidhjes, ashtu siç Brukseli u angazhua në dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit, por edhe në arritjen e marrëveshjes së 1 marsit në Maqedoni", -theksojnë nga BDI-ja.
Nga ana tjetër, siç njoftojnë nga kjo parti, deputeti evropian Riçard Houit ka siguruar se ai së bashku me deputetët e tjerë 'Miq të Maqedonisë' do mbështetësin e perspektivës evropiane të vendit. Megjithatë, Houit u ka bërë thirrje autoriteteve të Maqedonisë që të përmbushin edhe kushtet dhe reformat e duhura, në rrugën e euro-integrimit. Houit gjithashtu ka theksuar nevojën për reflektim më të madh lidhur me dialogun me mediat dhe gazetarët. Kreu i BDI-së Ahmeti vizitën në Bruksel sot e finalizoi në takimin me Kryetarin e Komisionit Parlamentar Belg për Punë të Jashtme, Havier De Donea. Aktivitetet në kuadër të ofensivës diplomatike Ahmeti nesër do t'i vazhdojë në Paris. Semra Jakupi