Qeveria tërheq projekt ligjin për kundërvajtje. LSDM-ja mori atributin se ishte ajo që e detyroi qeverinë të merrte këtë hap. Ana Pavlova Daneva tha se ligjet që duhet të miratohen me 2/3 e votave nuk mund të kalojnë pa pëlqimin e opozitës, ndaj është i domosdoshëm harmonizimi i qëndrimeve të subjekteve politike para se ligji të futet në procedurë parlamentare. Sipas opozitës ky është veprim i matur i qeverisë, sepse ligji ishte katastrofal dhe parashikonte rritjen drastike të gjobave.
"Dëshiroj të shprehë kënaqësinë tonë të madhe që qeveria më në fund gjeti forcën dhe e tërhoqi ligjin për kundërvajtje, me të cilën dëshmori se LSDM-ja dhe grupi ynë parlamentar ka qenë në të drejtë...Në momentin e parë kur hyri në procedurë parlamentare ligji për kundërvajtje, ne e thamë shumë qartë qëndrimin tonë, se jemi kundër miratimit të një ligji të tillë i cili është i dëmshëm për qytetarët e Maqedonisë, dhe që në fillim thamë se nuk do të japim pëlqimin tonë dhe se do ta pengojmë miratimin e këtij ligji", tha Ana Pavllova-Danevska, LSDM.
Ndërkohë nga mazhoranca shprehen se ligji është tërhequr përkohësisht dhe se nuk përjashtohet mundësia që të rikthehet në kuvend për miratim. Megjithatë atëherë do të presin edhe konstruktivitetin e opozitës.
"Ligji është tërhequr, por kjo nuk nënkupton se do të heqim dorë nga miratimi i një ligji të tillë dhe se nuk do të vijë sërish në procedurë. Megjithatë atë që kërkuat si opozitë, qeveria dhe ne si shumicë parlamentare dëshmuam konstruktivitet dhe e bëmë atë. Në të ardhmen presim që edhe ju ta dëshmoni konstruktivitetin tuaj kur sërish do të vijë në rend dite ligji i njëjtë", deklaroi Ilija Kitanovski, VMRO-DPMNE.
Projekt ligji për kundërvajtje ishte edhe në debat publik, ku mori kritika edhe nga profesorët universitarë të kësaj fushe. Edhe për ta, gjobat e larta ishin të papranueshme sepse nuk korrespondonin me realitetin ekonomik të qytetarëve. Bedri Rexhallari