Jep dorëheqjen Kryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve Boris Kondarko. Vendimin e tij, Kondarko e ka njoftuar përmes një komunikate të shkurtër, ku thotë se dorëheqja vjen për motive personale. Ai e ka depozituar tashmë dorëheqjen në Kuvend, ndërsa nga ana tjetër, bënte thirrje që në seancën e radhës të konstatohet ndërprerja e funksionit të tij.
"Ju njoftoj se sot kam dorëzuar dorëheqjen pranë Kuvendit nga funksioni i kryetarit të Komisionit Shtetëror të Zgjedhje. Në përputhje me normat e Kodit Zgjedhor kam kërkuar që në seancën e ardhshme të konstatohet ndërprerja e funksionit tim, para skadimit të mandatit. Vlerësoj se kam dhënë kontributin tim në punën e Komisionit, ndërsa dorëheqjen e jap për arsye personale" , thuhet në njoftimin e lëshuar nga Boris Kondarko, Kryetar në largim i KSHZ-së.
LSDM-ja njoftoi se do të propozojë menjëherë kandidatin e radhës për vendin e kryetarit, për të mos penguar punën e Komisionit. Sipas partisë opozitare, Komisioni mund të punojë pa problem deri në emërimin e kryetarit të ri.
"Në LSDM po vazhdojnë konsultimet. Ne dëshirojmë që KSHZ-ja të ketë punë të suksesshme dhe efikase në implementimin e rekomandimeve të OSBE ODIHR-it, pastrimin e listës zgjedhore dhe të gjitha vërejtjet e tjera për procesin zgjedhor. Do të propozojmë kryetar të ri në momentin që do të hapet konkursi për kryetar", tha Oliver Spasovski, sekretar i LSDM-së.
Nga LSDM-ja nuk duan të spekulojnë për emrat e mundshëm për kandidatë, por theksojnë se do të vlerësojnë të gjithë ata që plotësojnë kriteret. Dorëheqja e Kondarkos vjen 3 ditë pas paralajmërimit të Zaevit, i cili e lidhi këtë akt me mënyrën e vendimmarrjes në KSHZ, institucion që vendos me mbivotim. Benjamin Arifi